Pas pranimit të kërkesës nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me shpërthimin dhe përhapjen e zjarrit me përmasa të mëdha në deponinë e mbeturinave në fshatin Sverkë të Komunës së Pejës, Qendra Operative e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut. Poashtu dhe kapaciteteve reaguese për këtë sfidë.
Pas analizës përkatëse, FSK bëri të ditur se me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar në terren njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare me kapacitetet e saj për intervenim në këtë situatë.
“Operacioni ka filluar menjëherë me qëllim izolimin e vatrës së zjarrit, parandalimin e ndotjes toksike mjedisore dhe evitimin e efekteve zinxhirore ndaj shëndetit publik të qytetarëve.
Njësitë tona po punojnë në koordinim të ngushtë me autoritetet qendrore, lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për të kthyer situatën në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
