Nga: Veton Surroi Shpërndaje në: Paunoviq dhe Daçiq rikthyen logjikën etnoterritoriale të “Blut und Boden”: Kosova shpallet tokë serbe për shkak të gjakut, varreve dhe monumenteve serbe, ndërsa shqiptarët trajtohen si banorë të kushtëzuar, me Shqipërinë si “shtet amë”.
Në aktgjykimet për Kosovën, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë konstatoi se kjo logjikë u operacionalizua përmes dhunës dhe terrorit, me synim dëbimin me forcë të një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve, ndryshimin e përbërjes etnike dhe sigurimin e vazhdimit të kontrollit serb mbi Kosovën 1.
“Imagjino sikur të kishte ndodhur në Gjermani më 1972…” Kështu filloi dhe u ndërpre fjalia e një diplomati me të cilin bisedonim rreth deklaratës tashmë të famshme të ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë Snezhana Paunoviq, deklaratës së saj në mbështetje të spastrimit etnik të shqiptarëve. Ndërprerja ishte një vetëpërmbajtje e edukatës evropiane.
Vazhdimi mund të paramendohej: “…dhe një ministre të shprehte, 27 vjet pas luftës, keqardhje pse nuk u spastruan të gjithë hebrenjtë”. Por kjo do të çonte drejt një analogjie të papërpjesëtueshme. Analogjia me Holokaustin nuk mund të vlejë për përmasën, mekanizmin apo natyrën e krimit.
Megjithatë, ajo vlen vetëm për pyetjen politike: çfarë do të ndodhte në një demokraci të pasluftës sikur një ministre ta paraqiste dëbimin e një popullsie si politikë që duhej zbatuar?
Është e vështirë të gjendet në Evropën tetëdhjetenjëvjeçare të pas Luftës së Dytë Botërore një rast i krahasueshëm: një ministër i zgjedhur në garë shumëpartiake që shpreh keqardhje pse spastrimi etnik nuk është përmbushur plotësisht. Aq më pak në Gjermani, një shoqëri që ka prirë në ballafaqimin me të kaluarën.
Edhe Kolumne 2 d. më parë Sikur Serbia të ishte ashtu siç e sheh Brukseli, do të ishte më mirë për të gjithë 2. Ndoshta mungesa e analogjisë mund të ketë ndikuar në dy reagimet e para të BE-së.
Zëdhënësja e BE-së tha se “në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose përkrah spastrimin etnik”, ndërsa komisionerja Marta Kos deklaroi se “ishte e tmerrshme të dëgjohej diçka e tillë në vitin 2026” dhe shtoi se nuk mund ta përfytyronte që një ministre të vazhdonte detyrën pas një deklarate të tillë. Por mungesa e analogjisë nuk ndihmon në rrugën e mëtejme.
Konstatimi se “në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose përkrah spastrimin etnik” shpreh një normë, por bie ndesh me realitetin institucional: bartësit e kësaj retorike vazhdojnë të kenë vend në qeverinë e një shteti kandidat për anëtarësim. Paunoviq jo vetëm e arsyetoi spastrimin etnik, por tregoi se si do ta bënte.
Presidenti Aleksandar Vuçiq u distancua verbalisht, duke thënë se politika shtetërore është paqja dhe jo spastrimi etnik.
Por distancimi nuk prodhoi pasoja institucionale: Paunoviq vazhdoi detyrën, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme dhe shefi i saj partiak, Ivica Daçiq, e mbrojti publikisht — posaçërisht logjikën se njerëzit që “nuk e ndiejnë Serbinë si shtet të vetin” duhet të largohen dhe të shkojnë në “shtetin e tyre amë”.
Një prej ideve prijëse të nacionalizmit serb karshi Kosovës, nga fundi i shekullit XIX deri më sot, është ajo e një hapësire etnike serbe në të cilën shqiptarët trajtohen si trup i huaj. Dhe këtu analogjitë teprojnë.
Shekulli XX dhe ky në të cilin jetojmë janë përplot me luftëra, dëbime, vrasje dhe gjenocide të mbështetura në idenë se një komunitet kombëtar a fetar është i huaj në “tokën e shenjtë të kombit të zgjedhur”. 3.
Dy ministra të Qeverisë së Serbisë përsëritën si të mirëqenë logjikën e “Blut und Boden”(gjakut dhe dheut): Kosova paraqitet si tokë serbe për shkak të gjakut, varreve dhe monumenteve serbe, ndërsa shqiptarët që jetojnë në të shpallen banorë të kushtëzuar, me Shqipërinë si atdheun e tyre të supozuar.
Analogjia nuk nënkupton se regjimet apo krimet janë historikisht identike; ajo i referohet strukturës së argumentit — gjaku përdoret si titull pronësie mbi tokën, ndërsa popullsia tjetër trajtohet si e huaj.
Krimet përmes të cilave u zbatua projekti i homogjenizimit etnik kanë marrë kualifikim juridik në aktgjykime të formës së prerë: gjenocid në Srebrenicë, ndërsa në çështjet e Kosovës deportim, zhvendosje të detyruar, përndjekje e vrasje në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë konstatoi se Shainoviq, Pavkoviq dhe Lukiq morën pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale me synim dëbimin me forcë të popullsisë shqiptare të Kosovës. Ojdaniq dhe Lazareviq u dënuan për ndihmë dhe nxitje të deportimit dhe zhvendosjes së detyruar.
Në çështjen e gjeneralit të policisë Vllastimir Gjorgjeviq u konfirmua një ndërmarrje e përbashkët kriminale me synim ndryshimin e ekuilibrit etnik për të siguruar vazhdimin e kontrollit serb mbi Kosovën. Dënimet përfshinë, varësisht nga i akuzuari, deportimin, zhvendosjen me forcë, përndjekjen dhe vrasjen.
Ky ishte operacionalizimi kriminal i logjikës që sot përsëritet politikisht: se në territorin e Kosovës shqiptarët janë të huaj.
Edhe Kolumne 3 d. më parë Kosova, kampione e botës Në këtë kontekst nuk kemi të bëjmë vetëm me rehabilitimin e një ideologjie, por me rivendosjen e pretendimit për legjitimitetin e përndjekjes së shqiptarëve — jo vetëm në kundërshtim me parimet morale, por edhe me normat juridike të afirmuara në aktgjykimet Shainoviq et al. dhe Gjorgjeviq.
Dy ministrat nuk mjaftohen me pohimin se spastrimi etnik duhej bërë më 1998: ata përsërisin sot premisën që do ta legjitimonte atë — se shqiptarët në Kosovë janë element i huaj që duhet të largohet. 4. Gjërat kanë ndryshuar, natyrisht. Ministrat Paunoviq dhe Daçiq nuk i kanë instrumentet e vitit 1999 për ta zbatuar këtë ide në Kosovë; tash nuk mund ta kalojnë kufirin as individualisht.
Problemi qëndron te hendeku ndërmjet nocionit të “evropianizimit” dhe tolerimit institucional të mohimit të krimeve. Në logjikën e ballafaqimit me të kaluarën, Kosova dhe Serbia tashmë duhej të kishin tejkaluar jo vetëm luftën, por edhe ideologjinë e saj; krimet përmes të cilave ajo u zbatua janë gjykuar në Hagë në çështjet e Srebrenicës, Shainoviqit dhe Gjorgjeviqit.
Në “orën evropiane”, 27 vjet do të duhej të mjaftonin për ta bërë politikisht të papranueshme gjuhën e spastrimit. Kosova dhe Serbia nuk do të duhej të ishin ende në një stad marrëdhëniesh ku Serbia mohon të drejtën ekzistenciale të shqiptarëve të Kosovës në emër të një “hapësire etnoterritoriale serbe”. Por megjithatë po ndodh.
Përgjigjja e BE-së mbetet performative: përsërit se kjo retorikë nuk ka vend në Evropë, ndërkohë që bartësit e saj vazhdojnë të kenë vend në qeverinë e një shteti kandidat.
Në hapësirën politike të zgjerimit të BE-së ka vend për ministrat Paunoviq dhe Daçiq, pjesëtarë të Qeverisë së një vendi që ka punuar aktivisht kundër normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, kundër zbatimit të marrëveshjeve evropiane dhe kundër tërësisë territoriale e sovranitetit të Kosovës — pra edhe kundër sigurisë së qytetarëve të saj.
Edhe Kolumne 4 d. më parë Fashizmi brina s’ka Kur Serbia, me letrën e rezervimit të dhjetorit 2023, refuzon pjesët e Marrëveshjes së vitit 2023 që nënkuptojnë njohjen de facto të Kosovës, dhe kur përgjigjja shtetërore ndaj sulmit në Banjskë mbetet pa llogaridhënie bindëse, ajo nuk vepron nga një tekë apo shpërthim emocional.
Ajo operacionalizon një ide prijëse kolektive, të cilën e mbrojtën publikisht dy ministra të Qeverisë së Beogradit: se shqiptarët janë trup i huaj në “tokën e shenjtë” të Kosovës. Dhe përballë kësaj, Brukseli zyrtar vazhdon ta përdorë instrumentin e vet të preferuar, keqardhjen.
