Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Meçan Zotaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila është shprehur se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.
I ftuar në “Programin e drekës” në News24 me Ola Bruko, Zotaj tha se deklarata ka tronditur shqiptarët, duke theksuar se plagët e luftës në Kosovë janë ende të freskëta. Zotaj kritikoi edhe reagimet e autoriteteve shqiptare, duke thënë se deklarata nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur.
Duke folur për përvojën e tij gjatë luftës, ish-luftëtari i UÇK-së u shpreh se pjesëmarrja në luftë mbetet një nga periudhat më të rëndësishme të jetës së tij. Ai tha se deklarata e ministres serbe e ka rikthyer te periudha e viteve 1998-1999 dhe ngriti shqetësime për mënyrën se si, sipas tij, ide të tilla vazhdojnë të kultivohen në shoqërinë serbe.
Zotaj, i cili jeton ende në Kosovë, tha se vijon të ndjekë nga afër zhvillimet dhe përmendi edhe sulmin në Banjskë si një shembull të tensioneve të vazhdueshme. Sipas Zotajt, deklarata të tilla nuk sjellin rikthim të tensioneve, por rikujtojnë shqiptarët për të kaluarën dhe vështirësitë e procesit të pajtimit.
“Nuk ka një shqiptar që nuk do t’i kushtonte vëmendje deklaratës së saj shoviniste. Ne i kemi ende të freskëta plagët e asaj lufte. Fakti që Serbia nuk ka reflektuar asnjëherë, na bën të ndihemi të tmerruar me pushtetarët e Shqipërisë madje i quajnë dhe vëllezër ata që kanë bërë reagim. Reagimi ka qenë i grupit kondinativ të protestës.
Të gjithë jemi të shqetësuar, jo vetëm ne që jemi në protestë përditë, por edhe shqiptarë të të gjitha trojeve, se si ka mundësi që një eurodeputet ngre zërin, madje dhe Marta Kos, ndërsa një kryeministër, e kalon me butësi një deklaratë gjenocidiale. Kam pasur fatin që të jem pjesë e UÇK-së. Jam plagosur në luftë, jam shëruar dhe kam shkuar sërish në luftë. Është pjesa ime më e lavdishme.
I kam parë nga afër masakrat që i janë bërë popullit të Dardanisë. Edhe një serb që tentoi që të bënte homazhe në Prekaz, u gjymtua. Deklarata e ministres më ka kthyer në vitet 98-99. Deklarata e saj, mentalitet, kultivohet në shkolla, në familje, nëpër kishat ortodokse serbe. Unë jetoj akoma në Kosovë. Vazhdoj jetoj në një jetë civile. I shikoj nga afër. Në çdo tentativë që bëjnë.
Siç ishte dhe sulmi në Banjskë. Që u përgatit nga ushtria serbe. Nuk ndryshojnë serbët. Ata që mendojnë se serbët kanë ndryshuar, ose është i shitur, ose i verbër. Nuk rikthehen tensionet, por i rifreskon shqiptarët, ata që mundohen të jenë paqësorë, por Serbia nuk ndryshon pasi ka në krye të shtetit njeri të Millosheviçit.”, tha Zotaj.
