142 orë në ajër dhe mbi 100 mijë kilometra – ja çfarë bëri Infantino

0%

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, përshkoi më shumë se 100 mijë kilometra gjatë Kupës së Botës 2026, duke udhëtuar vazhdimisht mes qyteteve organizatore për të ndjekur nga afër ndeshjet e turneut.

Sipas të dhënave të publikuara nga një platformë që monitoron lëvizjet dhe emetimet e karbonit gjatë Botërorit, Infantino udhëtoi mbi 100.000 kilometra me një avion privat të vënë në dispozicion nga Qatar Airways, një prej sponsorëve zyrtarë të FIFA-s. Në total, kreu i futbollit botëror kaloi rreth 142 orë në ajër, duke fluturuar pothuajse çdo ditë nga një qytet në tjetrin.

Qëllimi i tij ishte të ishte i pranishëm në sa më shumë ndeshje të mundshme. Sipas burimeve të FIFA-s, Infantino bëri përpjekje të vazhdueshme për të ndjekur dy ndeshje në ditë, pavarësisht distancave të mëdha mes stadiumeve në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Megjithatë, jo gjithmonë ishte e mundur të ishte fizikisht në stadium.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për shkak të orareve të fluturimeve dhe distancave mes vendeve pritëse, disa ndeshje ai nuk mundi t’i ndiqte nga tribunat. Në këto raste, presidenti i FIFA-s i shikonte ndeshjet në transmetim televiziv, qoftë nga automjeti i tij zyrtar me shofer, gjatë udhëtimeve rrugore, apo edhe nga avioni privat gjatë fluturimeve.

Udhëtimet e shumta të Infantinos kanë tërhequr vëmendje edhe për ndikimin e tyre në mjedis, pasi përdorimi i avionëve privatë gjatë aktiviteteve ndërkombëtare vazhdon të jetë një temë e debatueshme, sidomos në evente të përmasave të Kupës së Botës./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi