Të paktën 144 emigrantë dhe refugjatë raportohet se kanë vdekur ose janë zhdukur pas disa incidenteve detare në brigjet e Mauritanisë, në një tjetër tragjedi përgjatë rrugës gjithnjë e më të rrezikshme të migrimit nga Afrika Perëndimore drejt ishujve Kanarie të Spanjës.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) ka bërë të ditur se tri operacione shpëtimi janë zhvilluar nga porti i Nouadhibout në Mauritani, mes 14 dhe 18 korrikut, duke sjellë në breg të sigurt 387 persona të kombësive të ndryshme. Incidenti më vdekjeprurës përfshiu një varkë që ishte nisur nga Bufuloto e Gambisë drejt ishujve Kanarie.
Mjeti lundrues u gjet pas gati 25 ditësh në det, por vetëm 38 persona mbijetuan. Sipas UNHCR-së, 143 persona të tjerë në bord u raportuan të vdekur ose të zhdukur. Mes të mbijetuarve ishin edhe dy fëmijë, të cilët gjatë udhëtimit humbën të gjithë anëtarët e familjes së tyre. Ata aktualisht po marrin trajtim në spital së bashku me të mbijetuarit e tjerë.
Një tjetër viktimë u regjistrua nga një anije tjetër e shpëtuar më 14 korrik, raporton Euronews, transmeton Sinjali. Zëdhënësi i UNHCR-së, Matthew Saltmarsh, tha se viktimat dhe personat e zhdukur kishin tentuar udhëtimin e rrezikshëm detar nga Afrika Perëndimore drejt Evropës, duke theksuar koston e lartë njerëzore të këtyre rrugëve.
Sipas UNHCR-së, rruga Atlantike drejt ishujve Kanarie mbetet një nga korridoret më vdekjeprurëse të migrimit në botë, për shkak të distancave të mëdha, motit të paparashikueshëm, varkave të mbipopulluara dhe mungesës së operacioneve të shpejta të shpëtimit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
