Kryeministri Edi Rama, gjatë videos live në rrjete sociale, sulmoi protestuesit të cilët vijojnë prej 52 ditësh revoltën kundër qeverisë së tij. Duke i cilësuar si “sorra dhe korba”, kryeministri tha se ata e kanë marrë peng bulevardin dhe se nuk kanë asnjë lidhje me protestuesit e flamengove. “Ai bulevard është shumë qartësisht i ndarë për mua të paktën sepse është i ndarë për historinë.
Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Ndërsa historia e sorrave dhe e korbave që e kanë marrë peng përfundimisht dhe e kanë kthyer në një në një shëmbëlltyrë simetrike, simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozitës që ta tani s’dihet më ku është, nuk ka asnjë lidhje me historinë e të ardhmes së Shqipërisë. Është vetëm e shkuara.
E shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese, po të shohim historinë.”, tha Rama. Po ashtu, duke iu referuar komenteve negative, Rama theksoi se sharjet i bëhen vetëm “shëndet dhe forcë”. “Kam edhe një mesazh tjetër për ata që më ndjekin dhe nuk janë këtu thjesht për t’u futur që të bëjnë sharjen e radhës.
S’ka problem, sepse ato sharjet mua më bëhen vetëm shëndet dhe forcë, por janë problemi i atyre që i bëjnë, sepse si hyjnë këtu ashtu dhe dalin, hyjnë të painformuar, dalin të painformuar dhe vazhdojnë të keq informuar.”, tha ai.
