E ardhmja e Rodrit vazhdon të mbetet e hapur, ndërsa kapiteni i Spanjës ende nuk ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën, me kontratën e tij te Manchester City që po i afrohet fundit dhe spekulimet për largimin e tij që po shtohen.
Mesfushori spanjoll ishte një nga protagonistët e triumfit të Spanjës në Kupën e Botës 2026, duke ndihmuar “La Roja” të mposhtte Argjentinën 1-0 në finalen e madhe. Sipas ekspertit të transferimeve Matteo Moretto, Real Madridi ka ndryshuar ndjeshëm qëndrimin ndaj Rodrit pas suksesit të tij në Botëror.
Fitimi i Topit të Artë të turneut si lojtari më i mirë i Kupës së Botës vetëm sa e ka rritur interesimin e klubit madrilen për mesfushorin 30-vjeçar.
Moretto raporton se disa anëtarë të bordit të Real Madridit po punojnë për të arritur një marrëveshje me Rodrin, i cili, sipas të njëjtit burim, është i prirur të transferohet në “Bernabeu” në vend që të rinovojë kontratën me Manchester Cityn. Megjithatë, vendimin përfundimtar do ta marrë presidenti i klubit, Florentino Perez.
Numri një i Real Madridit më parë kishte hedhur poshtë mundësinë e transferimit të Rodrit, duke marrë në konsideratë moshën e tij, statusin si një nga lojtarët më të mirë në botë dhe koston e lartë të transferimit. Raportimet e mëparshme kishin bërë të ditur se Rodri ende nuk e ka zgjidhur të ardhmen e tij te Manchester City, ku i ka mbetur vetëm edhe një vit kontratë.
Kjo pasiguri vetëm sa ka shtuar zërat për një transferim të mundshëm te Real Madridi gjatë kësaj vere.
