Milionat nga Plani i Rritjes: Komisioni Evropian po vlerëson raportin

0%

15 korriku 2026 ka shënuar fundin e afatit për shtetet e Ballkanit Perëndimor – ku përfshihet edhe Kosova – për të paraqitur raportet mbi zbatimin e hapave të paraparë me periudhën e katërt të raportimit të Instrumentit për Reformë dhe Rritje.

“Pas paraqitjes së raporteve, Komisioni Evropian tani po vlerëson zbatimin e hapave përkatës të reformës dhe po vendos për disbursimet përkatëse”- tha Komisioni në një përgjigje për Kallxo.com . Megjithatë, KE nuk tregoi datën e saktë se kur pritet të bëhet publik vendimi.

Afati i fundit për zbatimin e hapave të reformës sipas periudhës së katërt të raportimit të Instrumentit për Reformë dhe Rritje ishte 30 qershori 2026. E njëjta datë shënoi gjithashtu skadimin e ‘periudhës së hirit’ për hapat që duhej të dorëzoheshin në mesin e vitit 2025. Kosova llogaritet se ka humbur mbi 40 milionë euro , ndërsa po pritet vetëm vendimi përfundimtar i Brukselit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Krejt kjo ka ndodhur si pasojë e një cikli të vazhdueshëm zgjedhor dhe mungesës së ujdisë politike për të tejkaluar krizën institucionale. Konfirmimi zyrtar për humbjen e mundshme të parave erdhi nga vetë kryenegociatori i Kosovës për BE-në, Jeton Zulfaj, më , një ditë pasi përfundoi periudha grejs . Për Kosovën, agjenda e reformave përmban gjithsej 111 hapa me rreth 300 nënhapa.

Nga 13 hapat që kishin afat deri në ditën e fundit të qershorit, Qeveria konsideron se ka zbatuar 7 prej tyre, ndërsa 6 dështuan të zbatohen. Zulfaj sqaroi se nga 6 hapat e mbetur, pesë prej tyre vareshin direkt nga miratimi i ligjeve në Kuvend, ndërsa Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar mbeti peng i procedurave pasi nuk mund të miratohej nga një Qeveri në detyrë.

“Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin. Nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërkaq gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht… Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro”- deklaroi Zulfaj.

Sipas kryenegociatorit për Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, fokusi tani duhet të jetë te hapat që duhet të përmbushen deri më 31 dhjetor, pasi ato lidhen me 444 milionë euro të tjera nga Plani i Rritjes. “Në këta 61 hapa bëjnë pjesë edhe 22 hapa që për afat shtesë kanë 31 dhjetorin e këtij viti në vlerë prej 131.7 milionë euro”- kishte thënë Zulfaj.

Kosova ka tërhequr 62 milionë euro si parafinancim (7% e shumës), por pjesa tjetër kushtëzohet me hapat e agjendës. Gjashtë reformat që nuk zbatuan dhe llogariten se kushtojnë mbi 40 milionë euro: janë Ligjet për energjinë dhe energjinë elektrike së bashku me aktet nënligjore; Ligji për ndihmën shtetërore dhe Sistemi i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore; Ligji për inovacion dhe ndërmarrësi (Këshilli Kombëtar për Inovacion dhe Fondi i Inovacionit); Legjislacioni kornizë për falimentimin/paaftësinë paguese dhe Ligji për kamatëvonesat; Pakoja prej 6 ligjeve jetike (përfshirë ligjet për KPK-në, KGJK-në, Akademinë e Drejtësisë, përgjegjësinë disiplinore, rekrutimin dhe kontrollin e integritetit); dhe Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro: 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Më , Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Europian – Planin e Rritjes.

Kjo është një ndër marrëveshjet me vlerën më të madhe dhe më të rëndësishmet që përfiton Kosova. Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes kishte mbetur pa u ratifikuar për më shumë se një vit, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh .

Burimi: Kallxo