Martini me dhimbje koke

0%

Vllaznia po kalon një verë me ndry shime të thella në organikë, teksa numri i futbollistëve që kanë lënë skuadrën vazhdon të rritet. Emra si Pohls, Hakaj, Krymi, Kallaku, Mala, por edhe disa të tjerë që kanë qenë pjesë e rëndësishme e projektit kuqeblu në sezonet e fundit, tashmë kanë zgjedhur destinacione të reja, duke i dhënë fund aventurës së tyre në Shkodër.

Një situatë që ka ndryshuar ndjeshëm fytyrën e skuadrës së drejtuar nga Edi Martini. Natyrisht, largime të tilla nuk ndikojnë vetëm në aspektin cilësor të ekipit, por edhe në atë që shpeshherë është edhe më i rëndësishëm: personalitetin dhe lidershipin në fushën e lojës.

Bëhet fjalë për futbollistë që, përveç kontributit teknik, kanë qenë pika referimi për grupin, duke marrë përgjegjësi në momentet më të vështira dhe duke udhëhequr skuadrën me eksperiencën e tyre. Pikërisht ky është një nga shqetësimet më të mëdha për Vllazninë në prag të sezonit të ri.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Zëvendësimi i këtyre lojtarëve nuk lidhet vetëm me gjetjen e futbollistëve me cilësi të ngjashme, por edhe me afrimin e elementëve që kanë karakter fitues, grintë dhe aftësinë për të mbajtur peshën e fanellës kuqeblu. Këto janë cilësi që nuk maten me statistika dhe nuk gjenden lehtësisht në merkato.

Drejtuesit dhe stafi teknik janë të vetëdijshëm se rindërtimi i skuadrës nuk përfundon me plotësimin e organikës. Vllaznia ka nevojë të krijojë një bërthamë të re liderësh, futbollistë që do të marrin përsipër përgjegjësitë brenda dhe jashtë fushës.

Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet identiteti i një skuadre që prej vitesh është mbështetur jo vetëm te cilësia individuale, por edhe te karakteri dhe shpirti luftarak. Se sa do të arrijë Vllaznia ta përballojë këtë tranzicion, mbetet për t’u parë në javët dhe muajt në vazhdim.

Megjithatë, është e qartë se sfida më e madhe për kuqeblutë nuk është thjesht të gjejnë zëvendësues për emrat që janë larguar, por të ndërtojnë një ekip me të njëjtin personalitet, autoritet dhe frymë gare që ata lanë pas.

Burimi: Bota Sot