Liverpooli vazhdon të ndjekë nga afër situatën e mesfushorit Alex Scott, pasi futbollisti i Bournemouthit ka refuzuar ofertën për rinovimin e kontratës, duke shtuar spekulimet për një largim të mundshëm gjatë kësaj vere.
Sipas raportimeve të Sky Sports, 22-vjeçari ka refuzuar disa oferta për vazhdimin e kontratës me Bournemouthin, ndërsa po shqyrton mundësinë e një hapi të ri në karrierën e tij. Për Scottin interesim kanë shfaqur edhe Chelsea, Arsenali dhe Manchester Unitedi, ndërsa Liverpooli mbetet një nga klubet që po monitoron zhvillimet rreth së ardhmes së lojtarit.
Trajneri i ri i “The Reds”, Andoni Iraola, e njeh shumë mirë Scottin nga koha kur të dy ishin pjesë e Bournemouthit. Pikërisht nën drejtimin e teknikut spanjoll, mesfushori u shndërrua në një prej lojtarëve kyç të skuadrës.
Megjithëse Scott ka edhe dy vite kontratë me Bournemouthin, refuzimi për të nënshkruar marrëveshje të re mund ta detyrojë klubin anglez të shqyrtojë shitjen e tij këtë verë, për të përfituar maksimalisht nga kartoni i futbollistit.
Raportimet bëjnë të ditur se Bournemouthi e vlerëson lojtarin rreth 107 milionë dollarë, një shumë që mund të pengojë klubet e interesuara të avancojnë me oferta konkrete. Mesfushori ka folur më herët me fjalë të mëdha për Andoni Iraolën, duke vlerësuar ndikimin e trajnerit në zhvillimin e tij. “Ai është një trajner i shkëlqyer.
Më ka ndihmuar shumë si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në atë defensiv. Falë punës me të kam luajtur në shumicën e ndeshjeve këtë sezon”, ishte shprehur Scott. Scott zhvilloi 39 ndeshje në të gjitha garat sezonin e kaluar, duke realizuar katër gola dhe duke dhuruar një asistim.
Ai ishte pranë përfshirjes në listën përfundimtare të Anglisë për Kupën e Botës 2026, por në fund mbeti jashtë ekipit.
