Franca bëhet vendi i parë në BE që ndalon rrjetet sociale për fëmijët

0%

Franca është bërë shteti i parë në Bashkimin Evropian që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare, pasi parlamenti miratoi një ligj të ri që synon mbrojtjen e të miturve nga rreziqet e botës digjitale. Ligji, i mbështetur fuqishëm nga presidenti Emmanuel Macron, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, në fillim të vitit të ri shkollor, shkruan cnn .

Ai u kërkon platformave të rrjeteve sociale të zbatojnë sisteme të verifikimit të moshës të miratuara nga autoriteti francez për mbrojtjen e të dhënave personale. Platformat do të kenë edhe katër muaj kohë për të mbyllur llogaritë e përdoruesve që nuk plotësojnë kriterin e moshës.

Macron e ka cilësuar masën si të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve, duke deklaruar më herët se “truri i fëmijëve tanë nuk është në shitje”. Ligji është pjesë e një strategjie më të gjerë për kufizimin e ndikimit të tepërt të teknologjisë dhe për nxitjen e përdorimit më të përgjegjshëm të pajisjeve digjitale nga të rinjtë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, zbatimi i ligjit ka ngjallur debat. Kritikët vënë në pikëpyetje nëse ndalimi mund të zbatohet në praktikë dhe paralajmërojnë sfida ligjore, veçanërisht lidhur me verifikimin e moshës dhe pajtueshmërinë me rregullat e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian pritet ta shqyrtojë ligjin për të vlerësuar përputhshmërinë e tij me legjislacionin evropian.

Franca i bashkohet një prirjeje në rritje ndërkombëtare për kufizimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale. Australia tashmë ka vendosur një ndalim për përdoruesit nën 16 vjeç, ndërsa vende si Greqia, Spanja, Suedia dhe Austria po shqyrtojnë masa të ngjashme.

Burimi: Telegrafi