Nazim Pira është 61-vjeçari që vdiq pasi dyshohet se u rrëzua në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij në Pozheran të Vitisë. Sipas njoftimit të KF Vllaznia Pozheran, i ndjeri ishte ndër mbështetësit më besnikë të KF Vllaznia. “ Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Pira, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan.
Urojmë që të gjeni forcë, durim dhe ngushëllim për ta përballuar këtë humbje të madhe ”, u tha ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit. Ngushëllime ka shprehur edhe Valmir Sahiti, kryetar i Rinisë Demokratike në Viti. “ Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pira nga Pozherani për humbjen e familjarit të tyre.
Njëkohësisht, uroj shërim sa më të shpejtë për dy të lënduarit e tjerë nga stuhia e sotme ”, ka shkruar ai. Ndërkohë, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, tha për Klankosova.tv se si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, viktima dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime në kokë.
I njëjti me autoambulancë ishte dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar ishte konstatuar se është pa shenja jete.
