Bashkimi Evropian ka kritikuar vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë.
Përmes një deklarate, një zëdhënës i bllokut evropian tha se vendimi i Haxhiut, por edhe i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk “duket të jenë në përputhje me ligjin”, duke kujtuar se prokurorët veçse kishin njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
“Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës” , tha zëdhënësi.
Më herët gjatë 21 korrikut, Haxhiu njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.
“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës ”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi më herët këtë javë kërkesën e prorkurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve, të paraqitura në nëntor të vitit 2022, kur zyrtarët serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.
Ky vendim u mor me propozimin e nënkryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Dardan Vuniqi, ndërsa për të hyrë në fuqi kërkohej dekreti i ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu. Haxhiu tha se “ askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve” dhe “as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara” .
Sipas saj, Republika e Kosovës “ do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”.
Qindra zyrtarë serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi – u bëri thirrje përfaqësuesve serbë të largoheshin nga policia, gjyqësori, prokuroria dhe institucionet e tjera në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Largimi kolektiv ishte një formë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia. I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë më 20 korrik, Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se ende nuk ka marrë vendim lidhur me kërkesat e gjyqtarëve serbë për tërheqjen e dorëheqjeve.
Ai siguroi se opinioni do të njoftohet me kohë, por nuk dha detaje se sa gjyqtarë dhe punonjës administrativë nga komuniteti serb në veri kanë kërkuar rikthimin në detyrë. Nga BE-ja më herët gjatë korrikut i thanë Radios Evropa e Lirë se kjo çështje është duke u trajtuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. / REL
