Real Madridi duket se ka ftohur interesimin për transferimin e Michael Olises, pavarësisht raportimeve të shumta që e lidhën sulmuesin francez me një kalim te “Los Blancos” gjatë kësaj vere. Sipas “The Athletic”, drejtuesit e klubit madrilen e konsiderojnë aktualisht transferimin e Olises si një operacion “të pamundur” për t’u realizuar në këtë afat kalimtar.
Olise, i cili u transferua te Bayern Munich, ka kontratë me klubin gjerman deri në verën e vitit 2029 dhe mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm në planet e kampionëve gjermanë. Ndërkohë, Bayern nuk ka shfaqur shqetësim për interesimin e Real Madridit dhe tashmë po përgatitet të nisë bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit për një zgjatje të mundshme të kontratës.
Francezi 24-vjeçar ka impresionuar me paraqitjet e tij në Gjermani, duke tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, por për momentin e ardhmja e tij duket se do të vazhdojë të jetë në “Allianz Arena”.
