Një valë videosh me inteligjencë artificiale e ka kthyer Kylian Mbappenë në një gjeneral diktator gjatë Kupës së Botës. Fenomeni u bë aq i madh sa trajneri Didier Deschamps u detyrua të reagojë pas çerekfinales me Marokun . “Shumë njerëz mendojnë se Kylian është diktator që mendon vetëm për veten. Por ai është shembullor si kapiten dhe në gjithçka që bën në fushë” , tha ai.
Gjithçka nisi nga një doner kebap. Në mars 2024, influencuesi nga Marseille, Mohamed Henni, zbuloi se kishte marrë letër nga avokatja e Mbappesë për të mos përdorur emrin e tij te një doner me përshkrimin “aq i rrumbullakët sa kafka e Mbappesë”. Henni reagoi: “Mbappe e ka kthyer emrin e tij në diktaturë”.
Akuza u përhap shpejt, pasi në PSG flitej se Mbappe kishte ndikim në merkato dhe largimin e Neymar dhe Messit. Një burim pranë klubit tha për The Athletic: “Gjëja e diktatorit nuk është tërësisht e pasaktë. Klubi i dha gjithë pushtetin që kërkoi. Ndoshta krijuan një Frankenstein. Por kjo nuk e bën më pak lojtar brilant”.
Në Real Madrid u shtuan historitë se nuk i pasonte dot Viniciusit dhe Bellinghamit, se refuzoi rreshtimin për Barcelonën në Superkupë dhe se u konfliktua me stafin e Alvaro Arbeloas. Kampi i tij u përgjigj se kritikat janë mbivlerësim dhe nuk pasqyrojnë angazhimin e përditshëm. Meme u kthye në këngë.
Krijuesi spanjoll SurNervis publikoi këngën AI “Kylian Mbappe Dictador”, e cila ka mbi 2 milionë dëgjime në Spotify. “Ishte një ekzagjerim absurd i rëndësisë që disa i atribuojnë Mbappesë. Nuk është akuzë reale”, tha autori. Te Franca, Mbappe mori shiritin e kapitenit në moshën 24-vjeçare para Griezmann. Sot ai negocion shpërblimet dhe biletat për familjet e lojtarëve me Federatën.
Një burim pranë kombëtares tha: “Ai bën gjithçka, flet me federatën, me Deschamps. Por vepron në interes kolektiv”. Vetë lojtarët e quajnë me shaka “Mobut”, nga ish-diktatori Mobutu Sese Seko. Burime nga dhomat e zhveshjes thonë se Mbappe qesh me videot dhe e ka sens humori.
