Al-Hilali dhe Al-Nassri po hyjnë në afatin kalimtar veror me situata krejtësisht të ndryshme, teksa sezoni 2026/27 i Ligës Profesionale Saudite po afrohet. Afati kalimtar në Arabinë Saudite hapet më 22 korrik dhe do të qëndrojë i hapur deri më 6 shtator. Edhe pse merkatoja ende nuk ka nisur zyrtarisht, shumica e klubeve të elitës saudite kanë përfunduar tashmë disa lëvizje të rëndësishme.
Përjashtimi më i madh është Al-Nassri. Klubi ku aktivizohet Cristiano Ronaldo po përballet me një krizë financiare, e cila e ka lënë pa asnjë transferim të ri deri tani. E njëjta situatë financiare e ka penguar Al-Nassrin të gjejë zëvendësues për kroatin Marcelo Brozović, i cili u largua zyrtarisht pas përfundimit të kontratës në fund të sezonit të kaluar.
Sipas gazetës saudite “Asharq Al-Awsat”, Al-Nassri tentoi të transferonte mesfushorin portugez Samu Costa nga Mallorca, me kërkesë të trajnerit Ange Postecoglou. Transferimi do t’i kushtonte klubit rreth 9 milionë euro, por marrëveshja ende nuk është miratuar, pasi çdo shpenzim duhet të kalojë fillimisht nëpër procedurat e miratimit financiar dhe komitetin ekzekutiv të klubit.
Në anën tjetër, Al-Hilali po zhvillon një nga afatet kalimtare më të suksesshme në historinë e klubit, madje ende pa u hapur zyrtarisht merkatoja. Klubi ka siguruar tashmë pesë futbollistë vendas: Mohammed Al-Owais, Mohammed Al-Sarnoukh, Nawaf Al-Habashi, Abdullah Al-Enezi dhe Sabri Dahl.
Megjithatë, transferimi më i madh është ai i sulmuesit holandez Crysencio Summerville nga West Ham Unitedi. Sipas gazetarit të njohur David Ornstein, Al-Hilali ka arritur marrëveshje me West Hamin për transferimin e Summerville për 80 milionë euro. Kjo e bën holandezin futbollistin e dytë më të shtrenjtë në historinë e kampionatit saudit.
Ai kalon kolumbianin Jhon Duran, të cilin Al-Nassri e transferoi nga Aston Villa për 77 milionë euro, ndërsa para tij mbetet vetëm braziliani Neymar, i cili iu bashkua Al-Hilalit nga PSG për 90 milionë euro. Interesant është fakti se oferta e Al-Hilalit ishte pothuajse dy herë më e lartë se ajo e Romës.
Klubi italian kishte dorëzuar ofertën e tretë dhe të fundit prej 46 milionë eurosh, por sipas gazetarit Ben Jacobs, Al-Hilali ndërhyri në momentet e fundit dhe e mbylli marrëveshjen. Përveç Summerville, Al-Hilali vazhdon të lidhet edhe me emra të mëdhenj të futbollit evropian, si mbrojtësi italian Alessandro Bastoni i Interit dhe sulmuesi anglez Harry Kane i Bayern Munichut.
Krahasimet mes Al-Hilalit dhe Al-Nassrit në rrjetet sociale nuk janë diçka e re. Edhe gjatë afatit kalimtar dimëror, Al-Hilali realizoi shtatë transferime, të udhëhequra nga Karim Benzema, Simon Bouabré dhe Mohamed Kader Meïté. Në të kundërt, Al-Nassri afroi vetëm Abdullah Al-Hamdanin si lojtar i lirë, pasi ai kishte shkëputur kontratën pikërisht me Al-Hilalin.
Diferenca e madhe në aktivitetin e dy klubeve shkaktoi pakënaqësi të madhe, jo vetëm te tifozët e Al-Nassrit, por edhe te Cristiano Ronaldo. Sipas raportimeve, ylli portugez ishte aq i zhgënjyer nga mungesa e përforcimeve, sa vendosi të mos luante në disa ndeshje.
Zyrtarët e Ligës Saudite iu përgjigjën pakënaqësisë së Ronaldos duke theksuar se transferimet e Al-Hilalit nuk ishin financuar nga fondet e komitetit të rekrutimit, por nga princi miliarder saudit Al-Waleed bin Talal, president nderi i klubit, i cili kishte mbështetur plotësisht ato lëvizje.
