Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi është shmangur falë ndërhyrjes së shpejtë të një banori të zonës në Këlcyrë. Sipas informacioneve, një turiste e huaj, rreth 10 vjeçe, rrezikoi të mbytej teksa po lahej në lumin Vjosa, në zonën e njohur si Uji i Zi. E mitura u mor nga rrjedha e fortë e ujit, duke e bërë të pamundur daljen e saj në breg.
Ka qenë reagimi i menjëhershëm i një banori të Këlcyrës, i cili u fut në ujë dhe arriti ta nxjerrë të miturën në kohë, duke i shpëtuar jetën. Fatmirësisht, 10-vjeçarja nuk ka pësuar pasoja shëndetësore, ndërsa ngjarja shërben edhe si një apel për kujdes të shtuar nga vizitorët që frekuentojnë lumenjtë gjatë sezonit veror, për shkak të rrymave të forta dhe rrezikut që ato paraqesin.
