Kirurgu torakal në QKUK, Shqiptar Demaçi, ka ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve të plagosjeve me thika dhe mjete të tjera të mprehta, veçanërisht gjatë sezonit të verës. Përmes një reagimi në Facebook, Demaçi ka bërë të ditur se vetëm brenda 24 orëve, në Qendrën Emergjente, Reanimacion dhe Klinikën e Kirurgjisë Torakale janë trajtuar tre persona të plagosur me mjete të mprehta.
Sipas tij, një 18-vjeçar ka mbërritur në gjendje të rëndë shoku si pasojë e humbjes së madhe të gjakut. I riu i është nënshtruar një operacioni urgjent, pasi kishte humbur rreth 2.5 litra gjak nga plagët në kraharor. Demaçi ka apeluar që qytetarët të shmangin konfliktet dhe sjelljet agresive, duke paralajmëruar se raste të tilla mund të përfundojnë me pasoja fatale.
“Mos ta teprojmë me lojëra e sjellje agresive, sepse mund të ketë fatalitete”, ka shkruar ai. Ndërkohë, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë evidentuar edhe dy raste të plagosjeve me mjete të mprehta. Në Mitrovicë, një person është arrestuar pasi dyshohet se, në gjendje të dehur, ka therur me thikë një person tjetër.
Viktima është dërguar në QKUK për trajtim, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Një rast tjetër është raportuar në Shtime, ku një person është therur me mjet të mprehtë dhe është dërguar në emergjencën e Ferizajt. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
