Luka Modriç është shumë pranë vazhdimit të karrierës te Milani, pasi pritet të nënshkruajë një kontratë të re njëvjeçare me klubin italian. Sipas raportimeve të mediave italiane dhe kroate, mesfushori kroat ka vendosur të qëndrojë në “San Siro” edhe për sezonin 2026/27, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes së re pritet të bëhet gjatë kësaj jave.
Modriç, i cili do të festojë ditëlindjen e 41-të në shtator, ishte bashkuar me Milanin verën e kaluar pas largimit nga Real Madridi. Ai zhvilloi një sezon pozitiv me kuqezinjtë, duke bindur drejtuesit e klubit se ende mund të japë kontribut të rëndësishëm në mesfushë.
Trajneri i ri i Milanit, Ruben Amorim, e konsideron kroatin një pjesë të rëndësishme të projektit të tij, ndërsa drejtuesit e klubit janë të gatshëm t’i ofrojnë edhe një vit tjetër kontratë, me synimin për të përfituar nga përvoja dhe cilësitë e fituesit të “Topit të Artë”.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Modriç do t’i bashkohet skuadrës në fazën përgatitore para fillimit të sezonit të ri, pasi të formalizohet zyrtarisht rinovimi i kontratës.
