Media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit?

0%

Nga: Festim Rizanaj Shpërndaje në: Pyetja nëse media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit mbetet ende e hapur. Përgjigjja e Neil Postmanit është se media nuk është vetëm një kanal përmes të cilit kalon realiteti, por një strukturë që përcakton mënyrën se si ne e shohim dhe e interpretojmë atë.

Pikërisht për këtë arsye, libri i tij “Argëtim deri në vdekje: Diskursi publiku në epokën e spektaklit” mbetet një vepër themelore për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet teknologjisë, medias dhe shoqërisë bashkëkohore Libri “Argëtim deri në vdekje: Diskursi publiku në epokën e spektaklit” i Neil Postmanit, i përkthyer në shqip dhe i botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, paraqet një nga analizat më të rëndësishme kritike mbi mënyrën se si teknologjia e komunikimit transformon jo vetëm format e transmetimit të informacionit, por edhe mënyrën se si shoqëritë përcaktojnë të vërtetën, dijen dhe ligjërimin publik.

Postman nuk pyet vetëm se çfarë thonë mediat, por mbi të gjitha pyet se çfarë lloj realiteti krijojnë ato përmes mënyrës së komunikimit. Duke u nisur nga kritika ndaj tezës së Marshall McLuhanit “mediumi është vetë mesazhi”, Postman argumenton se mediumi duhet kuptuar si metaforë epistemike e realitetit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, mediat nuk janë mjete neutrale që bartin informacionin, por forma që organizojnë perceptimin tonë për botën. Ato klasifikojnë, përzgjedhin dhe kornizojnë realitetin, duke ndikuar në mënyrën se si mendojmë për të vërtetën.

Megjithatë, ndryshe nga McLuhan i cili mendonte se vetëm mediumi është përcaktues, Postman thekson se edhe përmbajtja ka rëndësi, pasi mesazhet mbartin ide, vlera dhe kuptime konkrete. Për të ilustruar ndryshimin ndërmjet kulturës së shtypshkrimit dhe asaj televizive, Postman përdor shembullin e debatit historik mes Abraham Lincolnit dhe Stephen Douglasit në vitin 1858.

Ai vëren se këto debate zgjatnin me orë të tëra dhe kërkonin nga publiku aftësi për të ndjekur argumente komplekse, pasi kultura e kohës ishte e ndërtuar mbi fjalën e shkruar dhe arsyetimin. Në kontrast, televizioni modern nuk është i përshtatur për ligjërime të gjata dhe analiza të thella, sepse funksionon mbi imazhin, shpejtësinë dhe argëtimin.

Një nga argumentet qendrore të Postmanit është se teknologjitë e komunikimit ndryshojnë vetë natyrën e informacionit. Duke analizuar telegrafin, ai tregon se informacioni u shkëput nga konteksti lokal dhe filloi të qarkullonte si një mall që duhej konsumuar shpejt.

Lajmi nuk ishte më domosdoshmërisht i lidhur me veprimin apo jetën e përditshme të njerëzve, por me aftësinë për të tërhequr vëmendje. Po ashtu, në analizën e fotografisë, Postman argumenton se imazhi ofron një dëshmi të drejtpërdrejtë të realitetit, por nuk ka kapacitetin e gjuhës së shkruar për të ndërtuar argumente dhe abstraksione.

Fotografia mund të tregojë, por nuk mund të shpjegojë në të njëjtën mënyrë si fjala. Për këtë arsye, dominimi i imazhit rrezikon ta zëvendësojë analizën me reagimin emocional.

Edhe Shtojca për Kulturë 8 muaj më parë “Circle Fest” qarkon artistët e rinj të Ballkanit të lodhur nga historia Kritika më e fuqishme e Postmanit lidhet me televizionin, të cilin ai e konsideron “meta-medium”, pasi ai përcakton jo vetëm informacionin që marrim, por edhe mënyrën se si mësojmë për botën.

Përmes konceptit të “pseudo-kontekstit”, ai argumenton se lajmet televizive krijojnë një iluzion informimi përmes fragmenteve të shkëputura. Formula “tani… kalojmë në” simbolizon kalimin e vazhdueshëm nga një temë te tjetra, duke mos i dhënë audiencës kohë për reflektim. Postman e shtrin këtë kritikë edhe në politikë, religjion dhe arsim.

Ai sjell shembullin e debatit politik televiziv, ku kandidati shpesh gjykohet jo nga cilësia e argumentit, por nga paraqitja, karizma dhe aftësia për të krijuar spektakël. Në religjion, ai analizon mënyrën se si televizioni e transformoi përvojën fetare në një formë argëtimi, ku emocionet dhe shfaqja shpesh zëvendësojnë reflektimin shpirtëror.

Ndërsa në arsim, ai argumenton se televizioni ka ndikuar në krijimin e një kulture ku mësimi kërkon vazhdimisht argëtim dhe stimulim vizual. Edhe pse libri u shkrua në vitin 1985, kritika e Postmanit është jashtëzakonisht aktuale në epokën e mediave sociale.

Sot, fragmentarizimi i informacionit, dominimi i videove të shkurtra dhe kultura e reagimit të menjëhershëm kanë intensifikuar pikërisht fenomenet që ai paralajmëroi. Në këtë kuptim, konceptet e tij për pseudo-kontekstin dhe transformimin e informacionit në spektakël ndihmojnë për të kuptuar edhe krizën bashkëkohore të së vërtetës.

Edhe Shtojca për Kulturë 5 muaj më parë Kosova drejt çlirimit dhe pavarësisë Prandaj, pyetja nëse media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit mbetet ende e hapur. Përgjigjja e Postmanit është se media nuk është vetëm një kanal përmes të cilit kalon realiteti, por një strukturë që përcakton mënyrën se si ne e shohim dhe e interpretojmë atë.

Pikërisht për këtë arsye, ky libër mbetet një vepër themelore për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet teknologjisë, medias dhe shoqërisë bashkëkohore.

Burimi: Koha