Pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, është publikuar renditja përfundimtare e favoritëve për fitimin e Topit të Artë, duke u bazuar në paraqitjet individuale, ndikimin te skuadrat dhe sukseset e arritura gjatë sezonit. Në krye të listës është Lamine Yamal, i cili shihet si kandidati kryesor për çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Talenti spanjoll luajti rol të rëndësishëm në triumfin e Spanjës në Kupën e Botës, ndërsa ndikimi i tij në lojë vlerësohet si vendimtar për ngjitjen në vendin e parë. Në vendin e dytë është renditur Michael Olise.
Francezi zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me Bayern Munichun dhe ishte asistuesi më i mirë i Botërorit, por eliminimi i Francës në gjysmëfinale ia zbehu shanset për ta marrë kreun. Podiumi plotësohet nga Harry Kane. Sulmuesi anglez ishte ndër favoritët kryesorë gjatë sezonit, por dështimi i Anglisë në fazën përfundimtare të Kupës së Botës ndikoi negativisht në renditjen e tij.
Kylian Mbappe mbetet në vendin e katërt, pavarësisht se ishte golashënuesi më i mirë në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës. Mungesa e trofeve me Real Madridin vlerësohet si arsyeja kryesore që francezi mbeti jashtë tri vendeve të para. Në Top 5 është edhe Vitinha, ndërsa pas tij renditen Pedri, Declan Rice, Erling Haaland, Ousmane Dembele dhe Lionel Messi.
Messi u rikthye në dhjetëshen e parë pas një Botërori të shkëlqyer, ku udhëhoqi Argjentinën deri në finale. Ndërkohë, Rodri, i shpallur lojtari më i mirë i Kupës së Botës, renditet në vendin e 13-të, pasi lëndimet dhe sezoni më i dobët me Manchester Cityn ndikuan në pozicionin e tij. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
