Komuna e Drenasit kërkon kujdes të shtuar për parandalimin e zjarreve

0%

Komuna e Drenasit ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët gjatë ditëve me temperatura të larta dhe thatësi të madhe, pas regjistrimit të disa vatrave të zjarrit në territorin e kësaj komune. Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, ekipet e Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë intervenuar vazhdimisht në terren për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve.

“Ekipet e Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë intervenuar pa ndërprerje dhe vazhdojnë të jenë në terren për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve, duke rrezikuar jetën e tyre për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, djegien e hamulloreve, barit të thatë, mbeturinave apo mbetjeve bujqësore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar që të mos hedhin cigare të ndezura në natyrë, përgjatë rrugëve apo në sipërfaqe me bimësi të thatë, si dhe të mos lënë pa mbikëqyrje burime të zjarrit. “Çdo pakujdesi, sado e vogël, mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën e njerëzve, pronën, tokat bujqësore, pyjet dhe mjedisin. Parandalimi është përgjegjësi e secilit prej nesh”, ka theksuar Komuna.

Në rast të vërejtjes së zjarreve apo rrezikut për përhapjen e tyre, qytetarët janë ftuar që të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente dhe autoritetet përkatëse, pasi reagimi i shpejtë mund të parandalojë dëme më të mëdha.

Komuna e Drenasit ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, institucionet përkatëse dhe qytetarët që po kontribuojnë në përballimin e situatës me zjarret.

Burimi: Telegrafi