Sirenat e alarmit ajror u aktivizuan në Bahrejn dhe Kuvajt në orët e para të 20 korrikut, pasi të dyja vendet thanë se po reagonin ndaj sulmeve iraniane me raketa dhe dronë. Në një deklaratë të publikuar nga mediat shtetërore iraniane, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) tha se ka goditur bazën ajrore Ali al-Salem në Kuvajt.
Sipas saj, sulmi kishte në shënjestër pajisje ushtarake, mjete ajrore dhe një hangar ku ndodheshin dronë amerikanë. IRGC-ja pretendoi, gjithashtu, se ka shkatërruar një radar amerikan në Kuvajt me një sulm me dron. Ajo tha se ka sulmuar objektiva edhe në Jordani.
Sipas saj, me raketa balistike u goditën avionë amerikanë të transportit ushtarak dhe objekte të komandës në aeroportin e Akabës, duke shkaktuar “dëme të mëdha”. Autoritetet jordaneze nuk i konfirmuan këto pretendime. IRGC-ja pretendoi se, vonë më 19 korrik, ka sulmuar dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, duke i nxjerrë jashtë funksionit.
Ajo nuk bëri të ditur identitetin e anijeve, por tha se ato po lundronin në korsinë jugore të Ngushticës “nën nxitjen dhe presionin e ushtrisë amerikane”. Autoriteti Britanik për Operacionet Tregtare Detare (UKMTO) njoftoi se një anije mori flakë në ujërat e Omanit.
Sipas njoftimit, të publikuar në orët e para të 20 korrikut, incidenti ndodhi një ditë më parë, më 19 korrik, ndërsa shkaku ende nuk është konfirmuar. UKMTO u bëri thirrje anijeve që lundrojnë në zonë, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë. Incidenti ndodhi në pikën më veriore të gadishullit Musandam të Omanit, në hyrje të Ngushticës së Hormuzit.
Sulmet në rajon u intensifikuan ndjeshëm ditët e fundit. Përveç goditjeve amerikane ndaj objektivave ushtarake në Iran, Teherani ndërmori sulme me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane dhe objektivave të tjera në Jordani, Kuvajt, Bahrejn dhe përgjatë Ngushticës së Hormuzit.
Përshkallëzimi shtoi frikën se luftimet mund të përfshijnë më gjerësisht rajonin e Gjirit Persik dhe të rrezikojnë një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
