Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh ndaj, siç ka deklaruar, disa objektivave amerikane në Lindjen e Mesme. Sipas një deklarate të transmetuar nga mediat shtetërore iraniane, sulmet janë kryer në tri fronte dhe kanë pasur në shënjestër baza dhe objekte ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt.
IRGC ka pretenduar se ka goditur objekte të lidhura me dronët në Aeroportin Al Sakhir në Bahrein, ambiente për përgatitjen e dronëve detarë në Portin Salman, si dhe një bazë të forcave speciale detare në Kuvajt. Teherani ka deklaruar se këto sulme janë kryer si përgjigje ndaj, siç i ka cilësuar, “agresioneve” të ushtrisë amerikane.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja ka kryer sulme të fuqishme ndaj Iranit, duke pretenduar se kapacitetet ushtarake të Teheranit janë dëmtuar rëndë. Tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të mbeten të larta, ndërsa të dyja palët kanë shkëmbyer akuza dhe kërcënime për përshkallëzim të mëtejshëm. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
