Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 13 vendpunishte në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, pas inspektimeve ku janë evidentuar shkelje të rënda të rregullave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, kontrollet janë realizuar në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe respektimit të standardeve të sigurisë në vendin e punës. Gjatë inspektimeve, janë konstatuar parregullsi të cilat, sipas Inspektoratit, paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë në punë, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 13 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara” , thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta për punëtorët. “Mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm” , thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.
Sipas këtij institucioni, masat e ndërmarra synojnë parandalimin e aksidenteve në punë dhe garantimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë të punësuarit.
