Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka njoftuar nisjen e programit falas të mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike të kryeqytetit, të moshës 9 deri në 11 vjeç. Përmes një postimi në Facebook, Elshani bëri të ditur se programi është nisur në bashkëpunim me Drejtorinë e Sportit dhe Sport Marketing.
“Çdo nxënës i Prishtinës meriton ta ketë mundësinë ta mësojë notin”, ka shkruar Elshani. Ai ka bërë të ditur se mësimet do të zhvillohen nga 27 korriku deri më 21 gusht në Pishinën e Gërmisë. “Sot, bashkë me Drejtorin e Sportit, Granit Geci dhe Sport Marketing, e nisëm programin e mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike të Prishtinës, për grupmoshat 9-11 vjeç.
Nga 27 korriku deri më 21 gusht, nxënësit e Prishtinës do të kenë mundësinë të ndjekin mësimet e notit falas në Pishinën e Gërmisë”, ka deklaruar ai. Sipas Elshanit, përveçse aktivitet sportiv, noti është edhe një aftësi e rëndësishme jetësore për fëmijët. “Noti nuk është vetëm sport. Është një aftësi jetësore që çdo fëmijë duhet ta ketë”, ka theksuar drejtori i Arsimit. / Telegrafi
