Një denoncim për dhunë në familje ka çuar në zbulimin e një arme automatike në një shtëpi në fshatin Baballoq të Deçanit, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Xh. J. rreth 65-vjeç ndërsa viktimë bashkëshortja e tij, T. R. rreth 48 vjeç.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja është raportuar më 21 korrik, rreth orës , kur Policia ka ndërhyrë pas një njoftimi për dhunë në familje. Viktima është shoqëruar në stacion policor, ku ka deklaruar se për një kohë të gjatë ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj.
Ajo ka pohuar se edhe ditën kritike ishte goditur në krahun e majtë, në stomak dhe në fytyrë, me çelësat e veturës dhe me një shkop druri. Sipas deklarimit të saj, bashkëshorti posedonte edhe një armë zjarri, me të cilën e frikësonte dhe e kanoste. Pas raportimit, Policia ka shoqëruar të dyshuarin në stacion, ku ai ka mohuar akuzat për dhunë ndaj bashkëshortes.
Me urdhër të Prokurorit është kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 dhe një karikator. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj Xh.J. është iniciuar procedurë për veprat penale “Dhunë në familje ” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” .
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
