Bebe Rexha tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj gjatë performancës në një festë të organizuar për finalen e Kupës së Botës në Los Angeles. Këngëtarja shqiptaro-amerikane u ngjit në skenë me një veshje të guximshme, të përbërë nga një kostum trupi me stemën e kombëtares franceze, geta rrjetë dhe pantallona të shkurtra, duke dhuruar një performancë plot energji.
Artistja 36-vjeçare nuk hezitoi të shfaqte stilin e saj karakteristik, ndërsa interpretoi hitet e saj para të pranishmëve, shkruan DailyMail. Pamja e saj u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, vetëm pak javë pasi ishte bërë objekt kritikash për paraqitjen në tapetin e kuq të American Music Awards. Pas komenteve fyese për peshën e saj, Bebe zgjodhi t’u përgjigjej kritikëve me humor.
Kur një përdorues publikoi fotografi të saj duke krahasuar pamjen e dikurshme me atë aktuale, këngëtarja shkroi: “Mendimi im është… albumi im i ri ‘Dirty Blonde’ del më 12 qershor. Mund ta porosisni që tani”.
Fansat e mbështetën menjëherë artisten, duke kujtuar se ajo ka folur publikisht për betejën me Sindromën e Vezoreve Policistike (PCOS), një gjendje shëndetësore që mund të ndikojë edhe në shtimin e peshës. Bebe Rexha ka qenë vazhdimisht e hapur për sfidat që ka kaluar, duke bërë thirrje që njerëzit të ndalojnë së gjykuari trupin e të tjerëve.
