Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ka bërë një reagim përmes të cilit ka thënë se deponia që është djegur në Sverkë të Pejës, nuk menaxhohet nga ajo. “Ajo menaxhohet nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ambienti”, ku Komuna e Pejës është aksionari kryesor.”- thuhet në reagimin e KMDK.
Kjo kompani ka thënë se kanë vizituar këtë deponi dhe janë njoftuar nga afër me gjendjen e madje kanë shprehur gatishmëri për të mbështetur “Ambienti”-n që zjarri të vihet nën kontroll dhe të shuhet.
Derisa paraditen e deputetja e zgjedhur Hykmete Bajrami njoftoi për kallëzim penal, ministrja në detyrë Fitore Pacolli i reagoi duke thënë se kompania nuk menaxhohet nga KMDK-ja, por Bajrami gjatë ditës iu kundërpërgjigj duke thënë se ka kërkuar hetimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse. “Shiheni në foto planin e biznesit të KMDK-së. Unë kurrë nuk shpif.
Nuk shkruaj dhe nuk reagoj pa u bindur më parë me fakte. Në DOKUMENTIN publik të KMDK-së, keni paraparë që këtë vit, pra 2026, nga JANARI deri në QERSHOR, të bëni rehabilitimin e komplet deponisë së Pejës, pra Sferkës, si dhe deponive tjera. Dhe, s’keni bërë asgjë. Prandaj, reagoni me nervozë dhe çuditshëm!”- shkroi mes tjerash Bajrami.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar pasi që deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se se ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori në lidhje me gjendjen e deponisë së mbeturinave në fshatin Sverkë të Pejës.
Pacolli ka thënë se kjo deponi nuk është nën menaxhimin e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë. “Sa për ta ditur, meqë është e qartë se je shumë e zënë duke shpërndarë gënjeshtra: KMDK nuk e menaxhon Deponinë e Sferkës.
Atë e menaxhojnë njerëzit e Gazit, të cilin po mundohesh ta mbrosh duke u bërë centrifuga e përgjegjësisë së tij.”- ka shkruar mes tjerash Pacolli, derisa pseudonimi “Gazi” në këtë rast është për kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Ministrja në detyrë ka thënë se kjo deponi është e vërtetë që nuk është trajtuar sipas standardeve për ndarjen e shtresave të mbeturinave me dhe apo materiale të tjera që nuk digjen.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë atë që i takon për këtë situatë: Inspektorati ka shqiptuar dënim në shumën prej 5000 eurosh për KRM “Ambienti”, pikërisht për shkak të mosrespektimit të standardeve.”- ka shkruar Pacolli. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bajrami ka thënë se prej pesë ditësh deponia është përfshirë nga zjarri.
Ajo ka thënë se prej më shumë se një dekade, kjo deponi dhe mbeturinat që hidhen aty nga pesë komuna, nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare.
“Aktualisht, deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.Përmes këtij kallëzimi penal kam kërkuar që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, por edhe përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur kompetenca për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe institucione të tjera që mund të kenë pasur përgjegjësi” – ka shkruar Bajrami.
Dje, më , banorët e asaj ane në Sverkë kanë protestuar për shkak të zjarrit dhe tymit në atë deponi. Përfaqësuesi i banorëve të këtij fshati, Enver Shabani, ka thënë për KALLXO.com se prej të martës tymi i shkaktuar nga zjarri po vazhdon ta ndotë zonën.
Në anën tjetër, ndërmarrja publike “Ambienti” ka bërë të ditur se zjarri dyshohet të ketë ardhur si pasojë e veprimeve të personave të pandërgjegjshëm. Ky veprim, sipas tyre, rrezikon seriozisht sigurinë e punonjësve, operatorit ekonomik dhe shkakton ndotje të konsiderueshme të mjedisit.
“Si pasojë e zjarrit, është vështirësuar edhe procesi i zbrazjes së automjeteve komerciale, si dhe janë shkaktuar pengesa të tjera në funksionimin normal të deponisë”- thuhet në njoftim. Situatë e njejtë ka ndodhur në shtator të vitit 2025.
