Është ndarë nga jeta gazetari Behlul Jashari. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar Behlul Jashari.
Në njoftimin e AGK-së, thuhet se Jashari i kushtoi mbi pesë dekada gazetarisë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në Rilindja, si kryeredaktori i parë i gazetës së rezistencës Bujku, si dhe përmes raportimeve të tij për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
“Ai do të kujtohet për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tij në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë edhe periudhën e luftës. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e së drejtës për informim dhe në dokumentimin e historisë së Kosovës do të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë gazetareske ”, thuhet në njoftimin e AGK-së, përcjell KosovaPress.
AGK u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, kolegëve, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve.
