Nga: BBC Shpërndaje në: Aktori britaniko-australian Terence Donovan, i njohur për rolet e tij në serialet “Neighbours” dhe “Home and Away”, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar familja e tij, ndërsa djali i tij, aktori Jason Donovan, bëri të ditur se i ati u shua në paqe të shtunën mbrëma në Melburn të Australisë.
Në një mesazh prekës, Jason dhe vëllai i tij Paul e përshkruan babanë si një njeri “më të madh se jeta”, mikun e tyre më të mirë dhe qendrën e familjes. Ata kanë thënë se do t’u mungojë shumë, por do të gjejnë ngushëllim që ishin pranë tij në ditët e fundit të jetës. I lindur në Londër, Donovan u shpërngul në Australi gjatë adoleshencës.
Ai e nisi karrierën si këngëtar, përpara se të debutonte si aktor në fillim të viteve 1960. Më vonë u bë i njohur me rolet e detektivëve Mick Peters në “Division 4” dhe Vic Cameron në “Cop Shop”, ndërsa në vitet 1990 iu bashkua kastit të “Neighbours” në rolin e Doug Willis dhe më pas interpretoi edhe në “Home and Away”.
Përveç karrierës mbi gjashtë dekada në televizion, Donovan luajti edhe në filma të njohur australianë si “The Man from Snowy River” dhe “Breaker Morant”.
Djali i tij kujtoi gjithashtu angazhimin e aktorit në vitet 1970 për promovimin e industrisë australiane të filmit dhe televizionit, duke theksuar se kontributi i tij ndihmoi në rritjen e prodhimeve vendase dhe zhvillimin e kinematografisë australiane.
