Banorë të disa fshatrave të Pejës protestojnë për shkak të tymit,

0%

Banorë të disa fshatrave përreth deponisë së mbeturinave në fshatin Sverkë të komunës së Pejës më kanë bllokuar rrugën e cila çon për te deponia në shenjë proteste për shkak të zjarrit, i cili ka shpërthyer disa ditë më parë .

Një prej organizatorëve të protestës, Enver Shabani, tha për KALLXO.com se tash e disa ditë e kanë të vështirë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për shkak erës së rëndë nga djegia e mbeturinave dhe nga tymi. Sipas Shabanit protesta është organizuar nga 14 fshatra përreth deponisë. Ai po ashtu tha se nuk ka më leje askush për të deponuar mbeturina aty.

Shabani tutje shtoi se mbeturina në këtë deponi janë hedhur nga 5 komuna (Pejë, Klinë, Deçan, Istog dhe Junik). Ai theksoi se rruga do të zhbllokohet kur këto komuna të ndërmarrin diçka.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Faik Zekaj, në një bisedë telefonike me KALLXO.com ka thënë se gjatë vitit 2025 është marrë vendimi për mbylljen e deponisë, ndërsa shtoi se banorët kanë të drejtë të protestojnë për gjendjen e shkaktuar.

Zjarrin në deponinë e mbeturinave Zekaj tha se janë duke e menaxhuar me kapacitetet që ka KRM “Ambienti.” Kryeshefi i KRM “Ambienti”, Diedon Berisha, tha se zjarri në deponi është lokalizuar ndërsa akoma nuk është shuar i tëri.

Berisha për KALLXO.com shtoi se intensiteti i punëve është maksimal prej sot, , ndërsa theksoi se shpreson që brenda 5 ditëve, eventualisht 1 jave, do të mbulohen të gjitha vatrat e zjarrit. Ai gjithashtu tregoi se mbrëmë, më , ka pasur vatra të reja të zjarrit ku sipas tij ishin të qëllimta, ndërsa shtoi se organet kanë arritur t’i identifikojnë këta persona.

Sa u përket pretendimeve për identifikimin e këtyre personave, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se nuk ka ndonjë informacion.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me komandantin e Njësisë së Zjarrfikësve në Pejë, Butrint Lajqin, i cili tha se Zjarrfikësit e Pejës janë duke intervenuar nga mëngjesi, mirëpo për shkak se ajo deponi është për shumë vite aty dhe ka mbeturina në mënyrë të vazhdueshme, duke e parë gjendjen se çfarë është, mundësia e vetme për ta fikur zjarrin është mbulimi me dhé..

Për sa i përket kërkesës së Enver Shabanit që komunat e lartpërmendura të ndërmarrin diçka, KALLXO.com u ka dërguar pyetje komunave të Deçanit, Junikut, Klinës dhe Istogut, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje. Protesta e banorëve të fshatrave rreth zonës ku gjendet deponia janë duke e vazhduar protestën edhe në këto momente ().

Për disa ditë me radhë është raportuar për zjarrin e shkaktuar në deponinë e mbeturinave në Sverkë. Një pjesë e deponisë së mbeturinave në fshatin Sverkë të komunës së Pejës më ishte kapluar nga zjarri. Lidhur me këtë, Ndërmarrja Publike “Ambienti” ka bërë të ditur se kjo dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e veprimeve të personave të pandërgjegjshëm.

Nga kjo kompani kanë bërë të ditur se kjo po e rrezikon sigurinë e punëtorëve si dhe po shkakton ndotje të madhe të ambientit. Besnik Kelmendi, menaxher i deponisë, kishte thënë se kjo deponi është lënë keq nga institucionet. Sipas tij, ende nuk dihet se nën menaxhimin e kujt është deponia. “Është lënë shumë keq kjo deponi, kjo ka qenë për 25 vjet, është regjionale.

Jo Peja, jo ‘Ambienti’ po e menaxhon, është me letra në KMDK-në, nuk e di as vetë ku është, as qysh është, as kush është përgjegjës për këtë. Na kanë lanë me një privat për me i shty mbeturinat, me hapë rrugë, për me zbrazë. Kështu jemi duke punu” – tha Kelmendi.

Ndërsa, kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Ambienti”, Diedon Berisha, tregoi për KALLXO.com se janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për lokalizimin e zjarrit. Ai tha se zjarri mund të vijë nga faktorë të ndryshëm, pa e përjashtuar zjarrvënien e qëllimshme.

“Mundet me qenë edhe zjarrëvënie me qëllim por mundet me qenë edhe për arsye të temperaturave të larta të cilat janë këto ditë. Për zjarrin e tashëm, ne jemi duke e menaxhu nga dita e djeshme që e kemi marrë informacionin në ora për ndezjen e zjarrit, me fillimin e tij. Ne kemi fillu të bëjmë raportime të menjëhershme për të mos kriju panik në popull.” – theksoi Berisha.

Gjithashtu, ai sqaroi se janë duke planifikuar edhe vendosjen e kamerave të sigurisë me qëllim të rritjes së sigurisë në raste të tilla. Tutje, nga Komuna e Pejës treguan se po planifikojnë mbylljen e deponisë së vjetër dhe hapjen e një të reje “me standarde europiane”.

Faik Zekaj, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, potencoi se hapja e një deponie të re ka qenë projekt i Bashkimit Europian. Për këtë, Zekaj tha se pas procesit të sanksioneve (ndaj Kosovës), Komuna përsëri e ka nënshkruar marrëveshjen e re për krijimin e deponisë së re dhe mbylljen e deponisë së vjetër.

“Në fakt ka qenë një projekt i Bashkimit Europian për financim të mbylljes së deponisë së vjetër dhe hapjes së një deponie të re, me standarde europiane, që mos me pasë rrezikshmëri për zjarre. Por siç e dijmë me vite kemi qenë në sanksione të Bashkimit Europian dhe nuk kemi mujtë me i shfrytëzu ato mjete që kanë qenë të ndame dhe na e kemi pasë pjesën tonë.

Tash e kemi rinënshkru marrëveshjen e re pasi janë heqë sanksionet e Bashkimit Europian për Kosovën. Po shpresoj që shumë shpejt ka me fillu mbyllja e kësaj deponie dhe hapja e deponisë së re.” – u shpreh ai. E njëjta deponi ishte kapluar nga zjarri edhe gjatë vitit të kaluar, më .

Burimi: Kallxo