Shteti, territori, dinjiteti dhe interesat e atdheut bëjnë bashkimin

0%

Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë me dije se SHBA-të mbeten të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta “me popullin e Kosovës”! Në njoftim thuhet qartë se “Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës.

Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës” Kjo do të thotë se SHBA-të kërkojnë themelimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe, atë që quhet vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë dhe zgjidhjen e të gjitha kontesteve me Kishën Ortodokse Serbe.

Po ashtu kërkesa amerikane lidhet edhe me “shmangjen e veprimeve të njëanshme në veri të vendit, sepse thonë ata, ato kanë rritur tensionet me komunitetin serb.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Që do të thotë se edhe pse veprimet “e njëanshme” të qeverisë së Kosovës janë konfirmuar në kohë si të drejta, sërishmi SHBA këmbngulin që Veriu i Kosovës të administrohet bazuar në dy legjislacionet, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë. Nuk duhen shumë mendje për ta kuptuar këtë fakt.

Para pak ditësh Uashingtoni nënshkroi gjithashtu marrëveshjen e dialogut strategjik me Serbinë, edhe pse ajo nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e kërkuara prej komunitetit ndërkombëtar, përkatësisht BE dhe SHBA, për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. SHBA kërkojnë për Kosovën zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të shkurtit 2023 dhe aneksit të Ohrit të marsit të atij viti.

Por nu kia kërkojnë këtë edhe Serbisë. Në fakt atë marrëveshje e kanë pranuar dy palët. Në to Serbisë i kërkohet njohja de facto e Kosovës. Ajo nuk e bën këtë njohje, ndërkohë që anëtarët e qeverisë serbe thonë se “Milosheviçi gaboi që nuk spastroi etnikisht Kosovën në vitin 1998”! Megjithatë dialogu strategjik me Serbinë është zyrtarizuar.

Kosovës i kërkohet të zbatojë njëanshëm marrëveshjet e papranueshme për Beogradin! Por Kosova nuk lejohet “njëanshëm” të zbatojë ligjin në veri të saj! Paradoks! Çfarë do të thotë kjo? Një kërkesë e tillë ka kuptimin se – Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të hyjnë në Ballkan dhe të marrin në dorë fatet e tij përmes Serbisë.

Kosova nuk është më prioritet e interesave të saj në rajonin tonë. Kjo do të thotë se Kosova u përdor si mjet për të dobësuar Serbinë dhe për ta detyruar atë të shkëputet nga sfera ruse e të renditet në sferën e ndikimit amerikan. Kjo do të thotë gjithashtu asgjësim i aspiratave europiane të vendeve të Ballkanit Perindimor. Kurbani i pare i kësaj strategjie duket se është Kosova.

Kosmopolitët, ose më saktë shqiptarët e pasionuar pas pushtetit, por pas interesave kombëtare, nuk do të pajtohen me mua. Sepse për ne shqiptarët janë më së shumti të pranishme interesat e pushtetit, kur bëhet fjalë për marrëdhënie me të fuqishmit. Shihni çfarë ndodh këto kohë: – Shitet Shqipëria vetëm e vetëm që të garantohet pushteti I një njeriu.

Po kështu në Kosovë, bëhen bashkë ata që shesin Kosovën për pushtet dhe i përdorin marrëdhëniet me SHBA-të si kasus kombëtar”. Këta thonë se “Kosova do të vijë te marrëveshjet e Edita Tahirit dhe Hashim Thaçit” dhe mburren me këtë. Në fakt e shesin kombin për interesat e pushtetit. Të tillë ka edhe në Maqedoninë e Veriut, për të mos folur për politikanë të llojit Abazoviç.

Nëse politika shqiptare do të ishte bashkë. Nëse ajo nuk do të vinte në diskutim territorin dhe kufijtë e Kosovës e madje edhe të Shqipërisë. Nëse qeveria shqiptare nuk do të flirtonte me Serbinë edhe këto itë pas deklaratës genocidiale të Paunoviç.

Nëse politikanët shqiptarë, mediet dhe çdokush te ne nuk do të fliste për harresën e krimeve dhe genocidit serb në Kosovë ose nuk do të vinte në tavolinën e bisedimeve ndarjen e Kosovës. Nëse Sazani dhe Zvërneci, po ashtu bregdeti i Jugut, nuk do të shiteshin për të huajt në kërkim të pushtetit.

Nëse do të kishim një klasë politike që atdheun e konsideron të shenjtë dhe territorin të patjetërsueshëm. Pra nëse te politika shqiptare do të kishte patriotizëm, atëherë Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të fliste krejt ndryshe.

Nuk do ta kushtëzonte dialogun strategjik me Kosovën, duke kërkuar rikthimin e saj ose të pjesëve të caktuara të saj nën sovranitetin e Serbisë. Jemi ne shqiptarët që ia ofrojmë asaj këtë mundësi. Për çfarë? Sepse duam pushtet, pastaj përmes pushtetit duam të bëjmë pasuri dhe më në fund duam të garantojmë edhe prestigjin tonë për një vend “nderi” në histori!

Shpesh akuzohen si përçarës atdhetarët, pse ata nuk pranojnë shitjen e atdheut prej tradhtarëve! Në fakt është e kundërta.

Tradhtarët, servilët, njerëzit pa dinjitet dhe integritet që nxjerrin në pazar atdheun e territorin e tij, pikërisht këta, kur gjejnë pëngesa te atdhetarët, fillimisht fusin përçarjen e më pas krijojnë narrativat pro interesave të tyre në harmoni me interesat e të mëdhenjve. Për konformistët, sa më i fushiqshëm të jetë një vend, aq më shumë përpjekje bëhen për të forcuar lidhjet me të.

Sot janë SHBA-të. Por këta kameleonë nuk e kanë për gjë që nesër, nëse do bëhej psh Rusia fuqia më e madhe e botës, siç ndodhi në fund të Luftës së Dytë Botërore, do të lidheshin pikërisht me Moskën. Do të gjenin edhe modalitetet për këtë. Fakti që në Shqipëri kemi shumë, shumë kameleonë të tillë.

Fakti që në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e kudo ku janë shqiptarët nuk mungojnë këto kategori politikanësh! Të dyja këto e vështirësojnë rrugën e sendndërtimit të shtetit shqiptar e sidomos të atij kosovar! SHBA-të mbeten edhe më tej miqtë e shqiptarëve. Por duhet kujdes. Si çdo vend, edhe Amerika mbi miqësitë ka interesat e veta.

Duhet eksploruar se çfarë synojnë në të vërtetë amerikanët me kushtëzimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë (ata thonë me serbët në Kosovë). Nuk është koha dhe nuk është e mundur që diplomacia e Kosovës të mund të krijojë konfrontime jo më me Amerikën, por as me Rusinë dhe as me Kinën.

Asnjëra prej tyre nuk ka aq shumë nevojë për Kosovën, sa ka Kosova nevojë për këto tri vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shteti, pavarësia, liria, integriteti territorial ruhen duke mbrojtur interesat e vendit dhe të popullit tënd, por edhe duke vepruar me maturi e zgjuarsi në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mbi të gjitha ato ruhen, nëse e gjithë politika dhe lidershipi politik, si dhe elita intelektuale bëhen bashkë në mbrojtje të atdheut tonë, fatkeqësisht këto kohë në shitje e në pazare politike mafioze!

Burimi: Bota Sot