Argjentina u mposht 1:0 nga Spanja pas vazhdimeve në finalen e Botërorit 2026, në një ndeshje ku skuadra e Luis de la Fuentes dominoi nga fillimi deri në fund. Goli i vetëm i finales u realizua nga Ferran Torres në minutën e 106-të, duke i dhënë Spanjës titullin e dytë botëror.
“Skuadra e Lionel Scalonit rezistoi gjatë gjithë kohës falë pritjeve të jashtëzakonshme të Emiliano “Dibu” Martinez, por mbeti me dhjetë lojtarë në fundin e kohës së rregullt, pasi Enzo Fernandez u përjashtua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë”, ka shkruar media argjentinase “Clarin”.
Spanja dominoi finalen “La Roja” ishte dukshëm më e mirë në posedim, organizim dhe krijim rastesh. Argjentina vuajti nën presionin e vazhdueshëm spanjoll dhe u detyrua të mbrohej për pjesën më të madhe të takimit. Në fund të pjesës së parë, Argjentina mori edhe një goditje të rëndë, pasi Lisandro Martinez u largua i dëmtuar.
Rezistenca argjentinase zgjati deri në minutën e 106-të, kur Ferran Torres shfrytëzoi një rast brenda zonës dhe me një goditje të fuqishme mposhti Dibu Martinezin. Messi në lot në ndeshjen e fundit të Botërorit Pas ceremonisë së medaljeve, kamerat kapën Lionel Messin duke shpërthyer në lot.
Kapiteni argjentinas, i vetëm pranë shokëve të skuadrës, nuk arriti ta përmbajë emocionin në atë që konsiderohet Botërori i tij i fundit. Pranë tij në lot u panë edhe Rodrigo De Paul dhe Nicolas Otamendi, ndërsa ky i fundit gjithashtu pritet t’i japë fund karrierës me kombëtaren.
Në një gjest respekti, futbollistët spanjollë formuan korridor nderi dhe e duartrokitën Messin gjatë ceremonisë. Rodri dhe Unai Simon marrin çmimet individuale Mesfushori spanjoll Rodri u shpall Lojtari më i mirë i Botërorit 2026, ndërsa Unai Simon fitoi çmimin për Portierin më të mirë të turneut. Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, pranoi epërsinë e kundërshtarit.
“Ndjej trishtim, por duke e ditur se kemi dhënë gjithçka. Këta djem na sollën një tjetër finale Botërori dhe luftuan deri në fund. Spanja ishte më e mirë dhe kjo është e vërteta, por unë do ta ruaj me krenari gjithçka që kemi bërë për të arritur deri këtu”, deklaroi ai.
