Rezistenca qytetare hyn sot në ditën e 50-të të saj, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë pluraliste në këto 35 vite. Të mërzitur me klasën e vjetër politike dhe dëmet që i kanë shkaktuar vendit qeveritë, qytetarët kërkojnë ndërrimin e saj dhe rrëzimin e qeverisë aktuale, duke pasur si kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kërkesa është e panegocueshme, teksa mijëra qytetarë shqiptarë mblidhen çdo natë në bulevardin para Kryeministrisë ku mbajnë fjalime dhe më pas marshojnë rrugëve të Tiranës, duke sensibilizuar. Me thirrjet “Nesër më shumë”, “Rama jep dorëheqjen” qytetarët përfundojnë marshimin e tyre çdo natë.
Thirrje të tjera janë “Shqipëria nuk është në shitje”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama në burg, Belinda në burg”, “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun”, “Rama, SPAK You”, “Revolucion”, “Opozitë e shitur”, “Nuk dorëzohemi deri në fund” dhe të tjera.
Protestuesit u mblodhën edhe dje, në ditën e 49-të të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, me një pjesëmarrje masive. Protesta nisi në orën me grumbullimin e pjesëmarrësve në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas ata marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke brohoritur slogane si “Poshtë patronazhistët”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament analfabet” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”. Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrje që kërkonin arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si edhe slogane të tjera politike.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklarojnë se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se do të vazhdojnë mobilizimin e tyre deri në realizimin e kërkesave që kanë paraqitur.
