Nga: The Guardian Përktheu:
Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Pakënaqësia ndaj qeverisë së mbështetur nga Trumpi në Venezuelë po rritet, ndërsa trashëgimtarët e Chavezit po përpiqen t’i përgjigjen një katastrofe për të cilën duken tërësisht të papërgatitur Edhe përpara se dy tërmete të fuqishme ta shndërronin kompleksin e banesave qeveritare OPPE 25 në një kaos me beton të copëtuar dhe jetë të shkatërruara, themelet e revolucionit populist “Bolivarian” të Hugo Chavezit kishin filluar të lëkundeshin në atë që dikur ishte një nga bastionet më të forta të mbështetjes së tij.
Gabriel Gonzalez kujton entuziazmin që ndjeu kur, në vitin 2013, mori çelësat e apartamentit të tij të sapopërfunduar, në një nga kullat 12-katëshe që El Comandante kishte urdhëruar të ndërtoheshin në një zonë të pasur të qytetit bregdetar turistik Caraballeda.
Punëtori 45-vjeçar i ndërtimit kishte humbur shtëpinë gjatë rrëshqitjeve vdekjeprurëse të baltës dhe kishte kaluar dy vjet në një strehimore emergjente përpara se të merrte banesën e re pranë plazhit. “Ishte e mrekullueshme”, kujton Gonzalez, për vite me radhë një mbështetës krenar i Partisë Socialiste të Chavezit (PSUV). “Qeveria e Chavezit bëri aq shumë për të varfrit…
Në atë kohë, të gjithë ishin në anën e Chavezit”, shton ai. Edhe Botë 9 muaj më parë Nga Damasku në Berlin: Një dekadë shpresë, sakrificë dhe integrim Por pak kohë pasi Gonzalez u vendos në OPPE 25, Chavez vdiq dhe, në vitet që pasuan, ndërtuesi thotë se ndjenjat e tij dhe të shumë fqinjëve, filluan të ndryshonin.
Vitet e varfërisë, emigrimit masiv, hiperinflacionit dhe sundimit autoritar nën pasardhësin e Chavezit, Nicolas Maduro, ushqyen pakënaqësi të përhapur. “Të gjithë këtu thoshin se revolucioni Bolivarian nuk ekzistonte më, se nuk ishte më ai i dikurshmi”, tha Gonzalez, vëllezërit dhe motrat e të cilit janë larguar në Shtetet e Bashkuara dhe Brazil.
“Fatkeqësisht, ajo që ndodhi është se ai u shndërrua në një diktaturë”, shton ai. Pastaj ndodhën dy tërmetet e muajit të kaluar, të cilat shkatërruan bregdetin verior të Venezuelës dhe zbuluan një revolucion të rrënuar, ndërsa trashëgimtarët e Chavezit përpiqeshin t’i përgjigjeshin një katastrofe për të cilën dukeshin dëshpërimisht të papërgatitur.
“Nuk kemi qeveri”, u ankua Gonzalez një mëngjes, ndërsa qëndronte pranë tendës së dhuruar ku fle, në një fushë golfi pranë shtëpisë së tij të shkatërruar. Dy javë pas katastrofës, djali i tij 22-vjeçar, Danieli, dhe vjehrra e tij, Esmeralda, vazhdojnë të jenë të zhdukur. Familja e tij qëndron pranë rrënojave, duke pritur ndonjë lajm.
Ashtu si shumë banorë të La Guairas, shteti verior më i goditur nga katastrofa, Gonzalez kritikoi reagimin e ngadaltë të udhëheqëses në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodriguez, ish-zëvendëspresidentes që u vendos në krye në janar pasi Maduro u arrestuar nga SHBA-ja dhe u transferua në SHBA për një proces gjyqësor. “Fatkeqësisht, nuk kam parë askënd këtu. Nuk kam parë guvernator.
Nuk kam parë kryetar bashkie”, tha Gonzalez, i cili kaloi 24 orë i varrosur nën rrënojat e OPPE 25 së bashku me bashkëshorten e tij, Rosa, përpara se të shpëtonin mrekullisht pothuajse pa asnjë lëndim. Çifti tani mbështetet te organizatat humanitare dhe anëtarët e kishës, të cilët i vizitojnë me pako ushqimore dhe lutje.
Shumë pyetje për t’iu përgjigjur Ekspertët bien dakord se pak vende do të kishin qenë plotësisht të përgatitura për egërsinë e jashtëzakonshme të katastrofës së 24 qershorit, dy tërmete me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën me më pak se një minutë diferencë, duke rrëzuar për pak sekonda ndërtesa të mëdha dhe të dendura me banorë, si OPPE 25.
“Ishte një ngjarje vërtet e jashtëzakonshme”, tha Carlos Genatios, inxhinier strukturash dhe specialist i planifikimit për fatkeqësitë natyrore, i cili shërbeu si ministër i Shkencës dhe Teknologjisë pasi Chavez erdhi në pushtet në vitin 1999. Genatios tha se tërmetet çliruan një sasi energjie të barabartë me 240 bombat atomike të hedhura mbi Hiroshimë.
“Ishte shumë më keq se tërmeti me magnitudë 7.0 në Haiti, i cili konsiderohet katastrofa më e madhe e shekullit XXI”, shtoi ai.
Megjithatë, Genatios, i cili u detyrua të largohej në mërgim pasi shkroi artikuj kritikë ndaj regjimit të Maduros, beson se qeveria duhet t’u përgjigjet shumë pyetjeve lidhur me këtë tragjedi, e cila la të vdekur të paktën 4.333 njerëz dhe të lënduar gati 17.000 të tjerë.
Pse, në një zonë të njohur sizmike, u ndërtuan ndërtesa kaq të mëdha mbi toka të buta, të cilat gjatë tërmeteve u tundën si xhelatinë? A ishin ndërtuar siç duhet projektet e banesave sociale, si OPPE 25, dhe pronat luksoze aty pranë, të cilat gjithashtu u shembën, duke përdorur materiale të përshtatshme dhe duke respektuar standardet e rrepta të ndërtimit?
A kishin investuar mjaftueshëm sundimtarët chavistë të Venezuelës në përgatitjen e shërbimeve sizmologjike, shëndetësore dhe të emergjencës për një fatkeqësi natyrore? Apo ishin shpërqendruar nga obsesioni i tyre për të mbajtur pushtetin? Genatios beson se, pasi të qetësohet situata, nevojitet një hetim i plotë për të përcaktuar se ku qëndron përgjegjësia.
Por ish-ministri është i bindur se shumë jetë mund të ishin shpëtuar nëse qeveritë e njëpasnjëshme do të kishin planifikuar më mirë për fatkeqësi të tilla. “Do të ishte e pamundur të mos kishte asnjë humbje”, argumentoi Genatios. “Por humbjet mund të kishin qenë shumë më të vogla”, shtoi ai.
Javën e kaluar, humbja ndihej kudo në rrugët përreth OPPE 25, ndërsa familje të dëshpëruara dhe të rraskapitura nga mungesa e gjumit gërmonin me duar dhe hapnin tunele nëpër një peizazh apokaliptik me kulla të rrëzuara, në kërkim të të afërmve të tyre.
Herë pas here, ata ndërprisnin kërkimet për të parë ekipet që mblidhnin trupat e pajetë, me helmeta të verdha dhe uniforma blu, duke nxjerrë nga rrënojat kufoma të shpërfytyruara rëndë. Të afërmit e atyre që kishin mbetur të varrosur nën ndërtesat e shembura kishin shkruar mesazhe lutëse në muret e jashtme. “Presidente Deisy Rodrigues (e shkruar kështu) – ju lutem na ndihmoni.
Djali im është këtu brenda”, shkruhej në një mesazh në një bllok banesash disa rrugë larg OPPE 25. Edhe Botë 14 o. më parë Tërmet i fuqishëm në Meksikë, alarm për cunami Shumë të mbijetuar thanë se, gjatë orëve dhe ditëve vendimtare pas tragjedisë, ndihma nuk mbërriti kurrë.
Krahas zisë, ekziston edhe një zemërim i thellë ndaj asaj që shumë e shohin si një reagim të ngadaltë dhe të keqmenaxhuar nga zyrtarët dhe trupat e Rodriguezit. Civilët e mbuluar me pluhur morën përsipër të nxirrnin viktimat nga malet gjigante të betonit, ndërsa forcat e sigurisë rrinin përreth duke mbajtur armët në duar.
“Këtu ka më shumë pushkë sesa kazma dhe lopata, ndërkohë që ajo për të cilën kemi nevojë janë pikërisht kazmat dhe lopatat”, u ankua Milagri Rodriguez Guanire, një nga afro 8 milionë venezuelianët që janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit. Ajo kishte fluturuar nga Kili për të kërkuar nënën e saj, Ymelda, mes rrënojave të OPPE 25.
Përforcimi i pakënaqësive Zemërimi për reagimin e qeverisë ka përforcuar pakënaqësitë e kahershme që prej vitesh janë grumbulluar në lagjet e klasës punëtore, të cilat tradicionalisht kanë qenë bastione të mbështetjes për regjimin.
Muret e kompleksit janë të mbuluara me propagandë që lartëson “gjigantin e përjetshëm” Hugo Chavez dhe pasardhësin e tij me mustaqe, Maduro, i cili në një mural paraqitet si një superhero me “grusht të hekurt” i quajtur Super Bigote (Super Mustaqja).
Por shumë banorë shprehën trishtim dhe zemërim për mënyrën se si, pas viteve të begatisë së naftës gjatë qeverisjes së Chavezit, ky vend i Amerikës së Jugut, i pasur me burime energjetike, u zhyt në një nga krizat ekonomike më të rënda të historisë moderne nën drejtimin e Maduros, për shkak të rënies së çmimeve të naftës, keqqeverisjes, korrupsionit dhe sanksioneve shkatërruese të Shteteve të Bashkuara.
“Është një grumbull plehrash… duhet t’i heqim qafe këta minj”, tha me zemërim Roberto Dupuy, një kuzhinier 65-vjeçar, vajza e të cilit humbi jetën kur dy nga shtatë kullat e OPPE 25 u shembën. Pesë ndërtesat e mbetura ishin dëmtuar aq rëndë, sa dukej se edhe ato ishin pranë shembjes.
Banorë të tjerë të komplekseve të ndërtuara gjatë epokës së Chavezit përgjatë bregdetit të Karaibeve në Caraballeda folën me zemërim, duke thënë se dyshonin se ishin strehuar në kurthe vdekjeje të ndërtuara keq, ku tavanet pikonin, ashensorët nuk punonin dhe muret prej çimentoje të brishtë i bënin të dyshonin për qëndrueshmërinë e ndërtesave.
“Ishin ndërtesa të ndërtuara me cilësi të dobët, prandaj u shembën dhe vranë kaq shumë njerëz”, pretendoi vjehrri i Gonzalezit, Marciel Edilberto Llarve, i cili jetonte në një kompleks të quajtur OPPE 33, që gjithashtu u shpërbë nga tërmeti.
Llarve, bashkëshortja e të cilit vazhdon të jetë e varrosur nën rrënoja, e krahasoi zhvendosjen e familjes së tij nga një kasolle e rrënuar në shpat mali drejt kullës së re shumëkatëshe, me një dërgim të pavetëdijshëm drejt gijotinës (mjet i ekzekutimit me teh që binte vertikalisht për prerjen e kokës, i përdorur veçanërisht gjatë Revolucionit Francez).
“Na morën nga varfëria e jetës dhe na çuan te pasuria e vdekjes”, tha ai. “Kjo ndërtesë ishte bërë nga xhelatina”. Ndërsa Maduro përdorte gjithnjë e më shumë metoda represive për t’i mbijetuar valëve të njëpasnjëshme të protestave, kryengritjeve dhe madje edhe një atentati ndaj tij, Gonzalez tha se shumë banorë të OPPE 25 i fshihnin bindjet e tyre politike nga frika se mos spiunoheshin nga anëtarët e komitetit të lagjes të Partisë Socialiste dhe humbnin përfitimet, vendet e punës ose banesat, apo madje edhe përfundonin në burg.
Kunata e tij, Yolife Llarve, kujtoi atmosferën e entuziazmit kur banorët u dyndën në qendrat e votimit gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, me shpresën për ta larguar Maduron nga pushteti. “Njerëzit ishin të entuziazmuar. Ishin të lumtur. Shumë menduan se kishte ardhur fundi.
Ne ishim të bindur se ishte fundi, derisa shpallën rezultatet”, tha Llarve për zgjedhjet, të cilat besohet gjerësisht se Maduro ia vodhi opozitës së udhëhequr nga fituesja e Çmimit Nobel, Maria Corina Machado, e cila ndodhet në mërgim. Ish-diktatori i Venezuelës ndodhet tani në një burg në Nju Jork, pasi u arrestua nga forcat speciale amerikane gjatë një operacioni spektakolar më 3 janar.
Një mural pranë OPPE 25 citon deklaratën që Maduro bëri gjatë paraqitjes në gjykatë, dy ditë pas ekstradimit të tij. “Jam i pafajshëm. Jam një njeri i ndershëm. Dhe unë ende jam presidenti i vendit tim”, thuhet në mural, megjithëse një pjesë e tij u shemb gjatë tërmeteve.
Trumpi e mbështeti papritur Rodriguezin pas kapjes së shefit të saj dhe e ka quajtur atë “një person të mrekullueshëm”, duke thënë se ajo po ndihmon kompanitë amerikane të naftës dhe minierave të bëjnë biznes në një vend që deri vonë konsiderohej vatër e anti-imperializmit, por që shumë tani e shohin si një protektorat.
Megjithatë, e ardhmja politike e presidentes në detyrë duket e pasigurt, për shkak të zemërimit të madh ndaj mënyrës se si ajo menaxhoi tërmetet.
Një sondazh i zhvilluar pas katastrofës tregoi se 63% e venezuelianëve nuk e miratonin Rodriguezin, ndërsa pothuajse gjysma mendonin se mbajtja e zgjedhjeve të reja ishte më urgjente sesa rindërtimi, megjithëse disa dyshojnë se tërmetet do ta zbehin presionin për zhvillimin e votimeve.
Rodriguez ka mbrojtur reagimin “e palodhur” të qeverisë së saj ndaj katastrofës, duke ia atribuar kritikat një komploti dashakeqës mediatik të fabrikuar në “laboratorë” propagande. Ajo ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se projektet karakteristike të banesave të Chavezit ishin ndërtuar me cilësi të dobët, duke thënë se shumica e ndërtesave të shembura ishin objekte komerciale.
Edhe Botë 17 o. më parë Japonia zbut rregullat e trashëgimisë mbretërore, por s’lejon një perandoreshë në fron Genatios, ish-ministri, beson se tërmetet dhe pasojat e tyre zbuluan se “revolucioni ishte një gënjeshtër”. “Qeveria e Venezuelës është një dështim i plotë, me gjithnjë e më pak mbështetje nga publiku”, tha ai.
“Retorika e saj revolucionare për ndihmën ndaj të varfërve… është një fasadë krejtësisht e shkëputur nga realiteti. Nuk ka më asnjë revolucion – motivimi i tyre është thjesht paraja dhe pushteti. Nuk ka revolucion. Asgjë. Ai nuk ekziston”.
