Universiteti Publik “Kadri Zeka” (UKZ) ka prezantuar Unitree G1, një nga sistemet humanoide më të avancuara në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale. Sipas universitetit, kjo teknologji është sjellë nën udhëheqjen e rektorit, Prof. Asoc. Dr.
Artan Dërmaku, dhe do të shërbejë për demonstrime praktike, kërkime shkencore dhe avancimin e njohurive të studentëve dhe stafit akademik në fushat e teknologjisë, automatizimit dhe inteligjencës artificiale. Në realizimin e kësaj iniciative kanë kontribuar edhe dekania e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, si dhe PhD Cand. Buen Bajrami, MSc.
Donat Dalipi dhe stafi akademik e administrativ i universitetit. Përmes këtij zhvillimi, UKZ thekson se vazhdon angazhimin për integrimin e teknologjive bashkëkohore në procesin akademik, duke krijuar mundësi të reja për mësim praktik, inovacion dhe kërkim shkencor. Universiteti ka publikuar edhe një video prezantuese të robotit humanoid Unitree G1.
