Për të 49-ën ditë, protestuesit janë mbledhur edhe sot para Kryeministrisë duke vijuar me 5 kërkesat e tyre, të cilat i lexojnë në çdo tubim përgjatë këtyre javëve. “Nuk do lëvizim nga sheshi deri sa të plotësohen 5 kërkesat”, u shpreh një protestuesve. Thirrjet për revolucion dhe ndryshimin e klasës politike, vijojnë. 5 kërkesat e tyre janë: 1.
Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë. 2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj. 3. Ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, ku përfshihet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që sipas tij ka marrë peng vendin që prej vitit 2008. 4.
Ndryshime në ligjin për financimin e partive politike, pasi sipas deklaruesit, përmes tij financohen nga paraja e krimit dhe drogës. 5. Kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate. Kjo protestë vjen pas mbledhjes për herë të parë të “Kuvendit Kombëtar të Protestës”, i thirrur nga organizatorët.
Kjo mbledhje në fakt pati mjaft tensione dhe përplasje mes tyre, pasi dukej se dakordësia për këtë takim nuk ishte e të gjithëve. Nga sheshi protestuesit u distancuan nga kjo mbledhje dhe ky Kuvend duke thënë se përfaqësuesit janë në shesh dhe se nuk ka negociata nëpër zyra.
