Shpërndaje në: Nga shtatori, siguria në shkollat e mesme të Prishtinës pritet të mbikëqyret edhe nga zyrtarë të Policisë. Masa do të aplikohet pas një vlerësimi të rrezikshmërisë që komuna e ka bërë për objektet shkollore.
Por, ekspertët kanë vlerësuar se prania e policëve nuk mjafton për të adresuar problemet si dhuna dhe bullizmi Nga fillimi i vitit të ri shkollor, shkollat e mesme pritet të monitorohen nga oficerë të sigurisë. Ata do të jenë zyrtarë të Policisë. Projektin e shpalosi drejtori i Emergjencave dhe Sigurisë në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, në emisionin “60 minuta” në KTV.
“Vitin e kaluar kemi përgatitur nivelin e rrezikshmërisë në të gjitha shkollat. Ka qenë një ekip i përbashkët i Drejtorisë për siguri, Policisë së Kosovës, Brigadës profesionale dhe eksperteve të tjerë. Janë vizituar 66 objekte shkollore në kryeqytet, çerdhe, shkolla fillore dhe të mesme.
Kemi përgatitur dhe raport dhe ky projekt ka ardhur si rezultat i të gjeturave por edhe gjetjeve të tjera sa u përket kamerave, qasjes së rrethojave por edhe sigurisë në afërsi të shkollave, si vendkalimet”, ka thënë Fushtica. Në polici nuk i kanë treguar masat e marra në funksion të realizimit të këtij projekti.
E njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se shumë probleme brenda shkollës nuk do të mund t’i zgjidhin oficerët e sigurisë. “Sigurimi fizik është vetëm një masë – dhe masa e fundit. Problemet e dhunës dhe bullizimit në arsim janë shumë më të thella.
Të caktohet sigurimi fizik në shkollë për dhunën në shkollë është sikur të trajtosh temperaturën e lartë me një paracetamol – pa shikuar shkaqet më të thella”, ka thënë Rexhaj.
Edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, e ka relativizuar rolin e policëve në shkolla dhe ka thënë se ata duhet të jenë të kufizuar vetëm në parandalimin e incidenteve, ndërtimin e besimit me nxënësit dhe koordinimin me shkollën, prindërit dhe institucionet përkatëse.
Edhe Arbëri 1 j. më parë Mësimdhënësit “tepricë”, barrë për komunat – kërkohet ndryshimi i formulës “Në të njëjtën kohë, siguria në shkolla nuk mund të mbështetet vetëm në praninë e oficerëve të sigurisë.
Ajo kërkon edhe fuqizimin e shërbimeve psikologjike, angazhimin e punëtorëve socialë, programe efektive kundër bullizmit dhe mekanizma funksionalë për identifikimin dhe adresimin e hershëm të faktorëve të rrezikut”, ka thënë Gashi.
Për rastet e dhunës në shkolla është shprehur shqetësim vazhdimisht, shkaku i incidenteve mes nxënësve, por edhe rasteve të përfshirjes së personave jashtë ambienteve shkollore. Egzona Mema
