Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë shkëputur kontratat e punës për 20 zyrtarë të ministrisë nga komuniteti serb, të cilët, kanë munguar vazhdimisht në vendin e punës që nga viti 2016.
Pacolli ka bërë të ditur se vendimi është marrë në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe pas shqyrtimit të evidencave zyrtare. Lidhur me këtë çështje, ish hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se vendimi duhet të shërbejë si sinjal se praktikat e deritanishme nuk mund të vazhdojnë.
Agim Rexhepi “Ky vendim është një mesazh i qartë se epoka kur paga merrej pa punë dhe kur shteti i Kosovës toleronte struktura që nuk i shërbenin institucioneve të veta duhet të marrë fund. Nuk mund të ketë administratë funksionale nëse për vite të tëra paguhen njerëz që nuk paraqiten në vendin e punës, ndërsa qytetarët e Kosovës financojnë këtë me taksat e tyre.
Ky rast nuk duhet të mbetet i izoluar. Të gjitha institucionet duhet të bëjnë verifikim të plotë të rasteve të ngjashme. Kushdo që është punësuar në emër të zbatimit të marrëveshjeve, por nuk ka kryer detyrën ose nuk ka respektuar ligjet e Republikës së Kosovës, duhet të përballet me pasojat ligjore. Shteti nuk mund të jetë bankomat për askënd”, ka thënë ai.
Sipas Rexhepit, rrënjët e këtij problemi lidhen me mënyrën se si është zbatuar procesi i integrimit të ish-pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” në institucionet e Kosovës.
“Integrimi i ish-pjesëtarëve të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” ishte pjesë e marrëveshjeve të dialogut të udhëhequra në periudha të ndryshme nga negociatorët e Kosovës, si Edita Tahiri, Avni Arifi dhe Skënder Hyseni, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ideja e integrimit në vetvete nuk ishte problematike, sepse synonte shuarjen e strukturave paralele.
Problemi ishte mënyra se si u zbatua. U bënë lëshime politike, por nuk pati kontroll të mjaftueshëm nëse këta persona po i shërbenin realisht Republikës së Kosovës. Për vite me radhë, qeveritë e kaluara e trajtuan dialogun si proces formal, duke pranuar kompromise pa ndërtuar mekanizma të fortë mbikëqyrës.
Pikërisht këto lëshime krijuan hapësirë që disa individë të përfitonin paga nga buxheti i Kosovës, ndërsa në praktikë nuk ushtronin detyrat për të cilat ishin punësuar”, ka shtuar ai.
Në fund, Rexhepi ka theksuar se administrata publike duhet të funksionojë mbi bazën e përgjegjësisë dhe respektimit të ligjit, duke kërkuar që të mos ketë standarde të dyfishta në trajtimin e rasteve të tilla. “Sot nuk ka më vend për standarde të dyfishta. Kush punon për shtetin e Kosovës duhet të jetë në vendin e punës, t’i respektojë institucionet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Përndryshe, kontrata duhet të ndërpritet pa asnjë hezitim. Lufta kundër strukturave paralele nuk fitohet vetëm me aksione policore. Ajo fitohet edhe duke pastruar administratën publike nga çdo rast i pajustifikuar, duke mbrojtur paranë publike dhe duke treguar se ligji është i barabartë për të gjithë.
Vetëm kështu ndërtohet një shtet serioz, ku dialogu nuk shërben për të legalizuar privilegje, por për të forcuar sovranitetin dhe funksionalitetin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.
