Nga uniforma blu te prangat/ AMP publikon bilancin e policëve

0%

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë publike bilancin e kontrolleve dhe hetimeve ndaj punonjësve të strukturave të sigurisë për 6 muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të AMP-së, nga janari deri në qershor janë arrestuar 9 efektivë të Policisë së Shtetit, një efektiv i Gardës së Republikës dhe një punonjës i shërbimit zjarrfikës, për vepra të ndryshme penale.

Gjatë kësaj periudhe, 24 efektivë policie janë përjashtuar nga detyra pas hetimeve disiplinore, ndërsa 25 të tjerë janë përballur me procedime për shkelje të rënda disiplinore. AMP bën të ditur se një numër i lartë punonjësish të policisë janë referuar në Prokurori për veprime të dyshuara në shkelje të ligjit.

Sipas institucionit, janë rreth 196 referime penale që lidhen me veprimet e dyshuara të 232 punonjësve të policisë. Në zyrat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore kanë mbërritur 752 kërkesa dhe ankesa për punonjës të Policisë së Shtetit. Pas verifikimeve paraprake, 434 raste rezultuan të pabazuara, ndërsa për 251 raste nuk u arritën të siguroheshin prova të mjaftueshme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për 15 raste është hapur dosje penale. Sipas AMP-së, denoncimet më të shumta lidhen me efektivët që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, kryesisht punonjësit e policisë rrugore, rendit dhe efektivët e forcave “Shqiponja”. Rasti më i fundit i bërë publik lidhet me arrestimin e dy efektivëve të Komisariatit nr.3 në Tiranë, të dyshuar për “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”.

Hetimi nisi pas publikimit të pamjeve filmike në rrjete sociale, ku dyshohet se efektivët morën para nga një drejtues mjeti për të mos e penalizuar për shkeljen e kryer.

Burimi: Bota Sot