Historia e futbollit të Kosovës është jashtëzakonisht interesante, sidomos në vitet e 80-ta, kur tifozët e Prishtinës vlerësoheshin si ndër më të zjarrtit, të krahasueshëm me ata të Amerikës së Jugut.
Atmosfera në stadium ishte e zjarrtë dhe kundërshtarët mbeteshin të mahnitur nga prania e 30 deri në 40 mijë shikuesve në stadiumin e Prishtinës, sot “Fadil Vokrri”, në kohën e gjeneratës së artë të udhëhequr nga kapiteni Fadil Vokrri. Kosova gjithmonë ka pasur futboll cilësor, por sistemi i atëhershëm e pengoi zhvillimin e tij dhe nuk e lejoi të përparonte siç duhej.
Trajneri malazez Milan Milaniq, ish-kryetar i Federatës së Futbollit të ish-Jugosllavisë, në një deklaratë nw Split për gazetarin dhe komentatorin e njohur tw Kosocws Veli Vraniqi, kishte befasuar me vlerësimin e tij për publikun e Prishtinës. “Publiku më ka befasuar për të mirë. Do të ishte mirë që trajnerët të ulen në mesin e tyre dhe të shohin se çka mund të dëgjohet nga ata.
Gjatë lojës së reprezentacionit olimpik me Prishtinën isha në shkallët e stadiumit. Tifozët demantuan plotësisht mendimin tim se shikuesit e shumtë e duan vetëm topin dhe Prishtinën, si skuadër e tyre. Të gjitha komentimet, vlerësimet, këshillat dhe sugjerimet që ua bënin lojtarëve ishin si të ndonjë trajneri të mirë. Më befasuan për të mirë me njohjen e hollësishme të lojës në tërësi.
U binda se Prishtina dhe Kosova janë për sport dhe për lojën cilësore të futbollit”. Kjo deklaratë e Milaniqit është botuar më 5 nëntor të vitit 1986.
Duhet theksuar se në vitin 1992, në cilësinë e kryetarit të Federatës së Futbollit të ish-Jugosllavisë, Milan Milaniq e dëboi nga zyra e tij kriminelin Zhelko Razhnatoviq – Arkan, i cili kishte uzurpuar Stadiumin e Prishtinës dhe kishte krijuar një “Prishtinë” fantome, të përbërë nga futbollistë serbë dhe malazezë.
