Shoqata Evropiane e Riprodhimit Njerëzor kërkon kufizime për numrin e fëmijëve nga një dhurues sperme: zbulimi i qindra vëllezërve e motrave mund të jetë destabilizues për fëmijët e lindur nga donacioni, sipas “La Repubblica”.
Ekspertët vlerësojnë se numri i fëmijëve të lindur nga një dhurues sperme nuk duhet të kalojë 50, duke rekomanduar vendosjen e kufijve të qartë, për të shmangur pasojat e mundshme sociale, psikologjike dhe mjekësore. Rreziku është krijimi i grupeve të mëdha vëllezërish e motrash biologjikë, ku njerëzit mund të zbulojnë papritur se kanë qindra persona me të njëjtën origjinë gjenetike.
Filmi “Starbuck” e trajtoi këtë temë me humor, duke treguar historinë e një burri që zbulon se është babai biologjik i 533 fëmijëve, pas dhurimeve të spermës. Por realiteti ka shkuar edhe më tej: në vitin 2023, një gjykatë në Danimarkë urdhëroi një dhurues sperme të ndalonte aktivitetin pasi kishte sjellë në jetë rreth 550 pasardhës.
Rreziqe shëndetësore dhe psikologjike Ekspertët theksojnë se kufizimet nuk lidhen vetëm me çështje sociale, por edhe me arsye mjekësore.
Në një komunitet prej rreth 800 mijë personash, numri i lartë i fëmijëve nga i njëjti dhurues, rrit mundësinë që dy persona me lidhje të panjohur biologjike, të krijojnë një marrëdhënie dhe të kenë fëmijë, duke bashkuar – pa e ditur- të njëjtin material gjenetik.
Nga ana psikologjike, studiuesit paralajmërojnë se zbulimi i papritur se një person është pjesë e një “tribuje” me qindra vëllezër e motra biologjike, dhe jo i një familjeje tradicionale, mund të jetë i vështirë për t’u përballuar.
Propozimi i ESHRE-së Shoqata Evropiane e Riprodhimit Njerëzor dhe Embriologjisë (ESHRE) ka propozuar që një dhurues sperme, të mos ketë më shumë se 50 familje të krijuara nga donacioni, me synimin që ky kufi të ulet gradualisht deri në 15 familje ose më pak. Ekspertët kërkojnë gjithashtu, krijimin e një regjistri evropian, për të kontrolluar numrin e pasardhësve nga secili dhurues.
ESHRE pranoi se nuk ka prova përfundimtare, se fëmijët e lindur nga dhurues me shumë pasardhës, kanë dëme të drejtpërdrejta, por argumenton se duhet ndjekur një qasje parandaluese.
Problemi i dhuruesve “më të kërkuar” Klinikat e fertilitetit shpesh preferojnë dhurues me cilësi të lartë të spermës dhe me kontrolle mjekësore të kryera, gjë që mund të çojë në përdorimin e përsëritur të të njëjtëve persona.
Në vendet ku prindërit mund të zgjedhin disa karakteristika të dhuruesit, disa individë bëhen veçanërisht të kërkuar dhe numri i pasardhësve të tyre rritet me shpejtësi. Një shqetësim tjetër është zbulimi i mutacioneve gjenetike pas lindjes së shumë fëmijëve.
Një rast i raportuar lidhej me një dhurues, që rezultoi se kishte një mutacion që rrit rrezikun e kancerit; nga donacionet e tij kishin lindur rreth 200 fëmijë, duke e bërë shumë të vështirë gjetjen dhe kontrollin e tyre. Dhurimi ndërkombëtar e vështirëson kontrollin Sperma e ngrirë shpesh transportohet ndërmjet vendeve.
Kjo bën që kufijtë kombëtarë të mos jenë gjithmonë efektivë, pasi një dhurues mund të ketë fëmijë në shumë shtete të ndryshme. Danimarka është një nga vendet kryesore evropiane për qendrat mjekësore ku ruhet, testohet dhe shpërndahet sperma e dhuruar për përdorim në trajtime të fertilitetit.
Përhapja e testeve të ADN-së ka bërë gjithashtu që, shumë fëmijë të lindur nga donacioni të mund të gjejnë vëllezër e motra biologjike edhe në vende të tjera, duke krijuar grupe të mëdha familjare të panjohura më parë.
Sipas ekspertëve, kufizimet duhet të vendosen tani, përpara se numri i pasardhësve nga një dhurues i vetëm, të krijojë probleme të vështira sociale, psikologjike dhe mjekësore.
