Portieri më përvojë, Kenan Haxhihamza është rikthyer në radhët e Dukagjinit të Klinës. Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e klubit. Fituesi i Kupës së Kosovës, Dukagjini ka synime të mëdha në edicionin e ri.
“Klubi Futbollistik Dukagjini ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin e portierit Kenan Haxhihamza, i cili do të jetë sërish pjesë e skuadrës sonë për sezonin e ri. 29-vjeçari nga Rahoveci rikthehet në Klinë pas një eksperience në Superligën e Kosovës, duke sjellë me vete përvojë, siguri dhe lidership në repartin e portës.
Haxhihamza është një portier me përvojë në elitën e futbollit kosovar, ndërsa gjatë karrierës së tij ka mbrojtur ngjyrat e Gjilanit, Ballkanit, Dukagjinit dhe së fundmi Drenicës. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e grumbullimeve të Përfaqësueses së Kosovës.
Kenani kishte veshur fanellën e Dukagjinit edhe në periudhën 2021–2024, ku u dallua me paraqitje të sigurta dhe profesionalizëm të lartë, duke fituar besimin e klubit dhe tifozëve. Rikthimi i tij është një përforcim i rëndësishëm për skuadrën në prag të sfidave të sezonit të ri”, ka njoftuar KF Dukagjini.
