Kapiteni i Spanjës, Rodri, pret një përballje të fortë fizike ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës, e cila do të zhvillohet të dielën. Mesfushori i Manchester Cityt u shpreh se Spanja duhet të jetë e përgatitur për një ndeshje ndryshe nga ato të mëparshmet në këtë turne, duke theksuar se skuadra e tij ka aftësinë të përshtatet me çdo situatë në fushë.
Rodri vlerësoi se finalja ndaj kampionëve në fuqi do të kërkojë përqendrim maksimal dhe forcë karakteri, ndërsa nënvizoi se Spanja duhet të qëndrojë besnike ndaj mënyrës së saj të lojës. “Do të jetë një ndeshje më fizike dhe duhet të jemi gati. Kemi treguar se dimë të luajmë në mënyra të ndryshme, qoftë kur duhet të mbrohemi, të kundërsulmojmë apo të sulmojmë”, u shpreh kapiteni spanjoll.
Rodri foli edhe për mundësinë e një ndeshjeje me shumë duele dhe provokime, duke theksuar se Spanja nuk duhet të bjerë në kurthe dhe duhet të fokusohet te futbolli i saj. “Duhet të injorojmë çdo situatë që mund të na shpërqendrojë dhe të përqendrohemi te loja jonë”, tha ai.
Kapiteni i Spanjës pati fjalë të mëdha për Lionel Messin, të cilin e konsideroi si futbollistin më të madh të të gjitha kohërave, por paralajmëroi se Argjentina nuk varet vetëm nga ylli i saj. “Messi është përtej çdo fjale, si lojtar dhe si simbol për Argjentinën. Për mua është më i madhi i të gjitha kohërave, por Argjentina është shumë më tepër se Messi.
Ata kanë treguar se janë një skuadër e kompletuar me shumë lojtarë të nivelit të lartë”, theksoi Rodri. Sipas tij, rikthimet e Argjentinës në momente të vështira gjatë fazës me eliminim direkt tregojnë karakterin e madh të skuadrës së Lionel Scalonit.
Spanja mbërriti në finale pas një paraqitjeje të shkëlqyer ndaj Francës në gjysmëfinale, ndërsa Rodri beson se për të mposhtur Argjentinën skuadra e tij duhet të ngrejë edhe më shumë nivelin. “Duhet të rrisim nivelin, sepse ata janë kampionët. Por jam shumë i bindur se mund t’ia dalim”, përfundoi kapiteni i Spanjës.
