Katër persona kanë përfunduar në Polici pas të shtënave me armë zjarri që tronditën mbrëmjen e së premtes fshatin Llapnasellë në Graçanicë, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se të shoqëruarit janë Xhevat Krasniqi, 57-vjeçar, Besim Krasniqi rreth 59-vjeçar, Boban Stevanoviq rreth 39-vjeçar dhe Milos Djekiq rreth 36-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur rreth orës , para lokalit “Firma”, ku dyshohet se Boban Stevanoviq ka shtënë me armë zjarri, pasi paraprakisht kishte qenë ulur në tavolinë me Xhevat dhe Besim Krasniqin. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar 11 gëzhoja të kalibrit 9 mm.
Gjatë kontrollit, te Xhevat Krasniqi është gjetur një pistoletë “Arex Delta M” me një karikator pa municion. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ai posedonte leje të vlefshme për mbajtjen dhe bartjen e armës, megjithatë arma është sekuestruar për nevojat e hetimit.
Ndërkohë, Milos Djekiq, punëtor në lokalin ku ndodhi incidenti, dyshohet se ka tentuar të largojë gëzhojat nga vendi i ngjarjes, duke ndërhyrë në provat materiale. Të katër personat janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë dhe janë testuar për alkool.
Sipas Policisë, Xhevat Krasniqi rezultoi me 0.81 promil, Besim Krasniqi me 1.16 promil, ndërsa Boban Stevanoviq me 1.23 promil alkool në gjak. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre janë iniciuar procedura për veprat penale “Përdorimi i armës së zjarrit”, “Mbajtja e armës pa leje” dhe “Manipulimi me prova”.
Pas intervistimit, të gjithë janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.
Ekskluzive | Të shtëna me armë para lokalit në Llapnasellë – dy serbë e dy shqiptarë nën hetim, njëri tentoi të fshehë provat Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
