Prej grykave përhapet errësira e u ngjitet thepinave, duke e marrë katundin në gji. Lart, në supet e maleve të lodhura, ra muzgu, e dita ngadalë u largua tej në perëndim. Dielli u fsheh në horizont, duke i përskuqur retë në qiell. Në atë vetull mali u shfaq, duke vështruar vjedhurazi ndër rrëpira, si një dhelpër lajkatare, hëna.
Drita e zbehtë, si floknajë zane, u derdh mbi fshatin e vendosur në atë shpat të pjerrët mali, ku kullat pikasnin mes shtëpive përtrollëse si tempuj krenarie. Në këmbët e atij katundi të largët, një lumë i kthjellët, me ujin e pastër, lëshohej rrëpirave.
Prej shpateve të malit merrte jetë ai lumë, që nëpër gjithë shtratin e vet i kishte lëmuar gurët e bardhë – gurë që ditën krijonin një pamje të mrekullueshme, si palat e një këmishe gruaje të atyre anëve, ndërsa natën hëna i kthente si gjinj zanash që laheshin në ujin e kulluar.
Prend Pali e ndali vështrimin pikërisht në atë fshat, në krye të të cilit gjendej kulla e vjetër e kryelartë, kullë që i ati e kishte ndërtuar me duart e tij – themele të hedhura mbi gjakun e dashit të therur për t’i shenjtëruar trollin, kokën e të cilit e kishte vendosur mu në shqimin e derës. Një tufë sorrash fluturoi mbi kryet e tij, duke e mbushur hapësirën me krrokama.
Ai e ngriti kryet t’i shihte, kur një prej tyre i lëshoi mbeturinën mbi kokë, si të donte t’i thoshte: shih punën tënde. – Kush e mësoi gjuhën e peshqve e nuk e mori lumi, – mërmëriti, duke u pastruar dhe duke u nisur të kalonte lumin. Pa dalë mirë në bregun tjetër, u ngatërrua në një degë peme e desh u rrëzua.
E tërhoqi fort këmbën; disa pika uji i stërpikën fytyrën. – Hej, shejtan, – mërmëriti, doli në bregun matanë, u vesh dhe mori tërmal Udhës së Korbave, që të mbërrinte sa më parë në fshat. Çokthi i natës filloi të klithte këngën e vet të trishtë. Mendimet e Prend Palit ishin bërë si thnegla dhe kishin pushtuar etshëm gjithë qenien e tij.
Iu kujtua hutini që prej ditësh klithte në manin degëthatë të oborrit, duke i ndjellë një kob të zi – mani i dalë gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur prej atij dimri të gjatë e të lodhshëm, që tani, lakuriq, i kallte krupën. Gjithçka fle, veç xixëllonjave, mendoi, ndërsa çokthi ra në heshtje dhe vetëm ndonjë xixëllonjë përpiqej ende t’i shpojë errësirës.
Diku larg, çakejtë i lëshuan klithmën e tyre. Ata bëjnë gjëmë e ia ngrysin jetën prrojeve bashkë me dreqnit, mendoi. Rrufetë maleve nuk u bëjnë dot gjë.
Mendimet i hidheshin kështu, herë andej, herë këndej, ndërsa ai ngjitej Udhës së Korbave – e njëjta udhë që kishte zbritur atë mëngjes, vite më parë, kur kishte marrë rrugën e kurbetit, duke i lënë nanën e babën në kullë, gjithësesi të vjetër. Në zbritjen e atëhershme, ëndrrat e tij kishin ngrirë.
Po kush ia ka ngjitur këtë emër të çuditshëm kësaj udhe? mendoi, dhe u ul mbi një gur, ku mendja iu kthye, pashmangshëm, nga ato gjëra të tmerrshme që kishin ndodhur që kur ai u kthye nga mërgimi.
Trupin ia përshkuan të dridhurat, po ashtu si ishte dridhur Fabiola atë natë kur ai e kishte zhveshur dhe e kishte marrë nën trup për herë të parë – natë e gjatë, e pafund, deri sa brenda saj kishte zënë të lindë një jetë e re. Kjo ndodhi katër vjet pasi ai kishte mbaruar universitetin, e ajo kishte kaluar po aq vite martesë me tjetërkënd.
Ishin njohur studentë – ai në vitin e tretë, ajo në të parin. Natën e dytë të shkurtit, ditën e ditëlindjes së tij, ç’kishte filluar si darkë e thjeshtë kishte marrë një rrjedhë tjetër, dhe kishin kaluar bashkë natën e parë në hotel “Shliman”. Muajt kishin ikur duke i afruar gjithnjë e më shumë, derisa, jashtë dëshirës së saj, familja e Fabiolës e kishte fejuar me dikë tjetër.
Atë verë, teksa ai mbyllte studimet, ajo u martua. Ëndrra e tij mbeti e ngrirë brenda, edhe pse jeta i shkoi para. Netë të tëra pa gjumë, imazhi i saj që i dilte përpara – kështu kishin kaluar ato katër vjet heshtjeje. Ishte ajo, në fund, që e thirri sërish – pikërisht para hotel “Shlimanit”, pikërisht ditën e ditëlindjes së tij.
Prend Palit i ishte rrahur zemra fort, aq fort sa iu duk se po i çahej gjoksi; nuk kishte mundur t’i thoshte jo. E gjeti duke e pritur vetëm një minutë para kohe; e puthi menjëherë, pa pyetur veten çfarë po bënte. – Ti s’e mbajte fjalën, – i tha më vonë, në kafe. – Unë të kam dashur me gjithë shpirt.
Dy pika loti i rrokulliseshin nëpër faqe. – Gjithë jetën s’kam dashur vërtet njeri tjetër, veç teje, – i tha ajo, me zë që i dridhej. – Por zoti qenka i padrejtë. Jam martuar pa dëshirën time, s’e kam dashur kurrë atë burrë. Thellë në shpirt jeton ti. – Dhe më thirre këtu që të ndryshoj gjërat sot? Kur ke familjen tënde, fëmijët e tu? Ajo u dridh e tëra pas fjalëve “fëmijët e tu”.
S’të thirra të ndryshoj asgjë, – tha, – të thirra vetëm të kalojmë një natë bashkë, si atëherë. Unë kam tashmë një burrë, ti ke një grua. T’i bindemi fatit, njëherë e mirë. -Unë kurrë s’kam pasur grua, – u përgjigj ai. – Ti ishe e vetmja. – As unë kurrë s’kam pasur fëmijë, – tha, – edhe pse s’kemi lënë as shtrigë pa pyetur, as mjek pa u vizituar.
Atë natë u gjendën përsëri në krahët e njëri-tjetrit. Nëntë muaj më vonë, asaj i lindi një djalë. – Është yti, – i dëgjoi zërin në telefon. – Im shoq s’mund të bëjë fëmijë, edhe pse thotë të kundërtat. Djali të ngjan ty, si të jetë kopja jote. Të nesërmen, Prend Pali mori një skaf, kaloi në Bari, dhe që andej u nis për në Nju Xhersi, ku e priste një jetë me mijëra probleme të tjera.
Kudo që shkonte, imazhi i Fabiolës e ndiqte si hije, por ai nuk donte t’ia cenonte “lumturinë”. Le ta rrisë djalin larg atit të vet – kështu vendosi, dhe kështu qëndroi, vit pas viti. Në shtëpi, në krye të fshatit, kishin mbetur prindërit e tij të moshuar dhe një motër fatkeqe, të cilës, edhe pse i kishin kaluar të pesëdhjetat, zoti nuk i kishte dhënë fëmijë.
Ajo jetonte një jetë të ngrysur pranë një burri që, ndoshta, s’e kishte dashur kurrë vërtet – njësoj siç s’e kishte dashur Fabiola të vetin. Një ditë të ftohtë dhjetori, kur borë e trashë mbulonte malet, i ati dha shpirt.
Koha ishte aq e ashpër sa deshën ta varrosnin në fund të arës, si të pastrehë, por e bija – motra e Prend Palit – nuk pranoi. – Nuk mund të varroset si njeri pa njeri, si babë pa djalë, – tha ajo, pa e ditur as vetë nëse i vëllai ishte gjallë apo vdekur. Nuk kishin kaluar as dy javë kur dha shpirt edhe e ëma. Ai s’u shfaq. Askush s’dinte gjë për të.
Motra i lau me lot shkallët e kullës, vendosi kyçin te dera, dhe u kthye në shtëpinë e vet, ku e priste vetëm një burrë plak – pa djalë, pa vajzë, pa vëlla e pa motër që t’i mbanin anën. * * * Ishte një ditë e nxehtë gushti kur Fabiola, burri dhe djali i saj u nisën për në plazh.
Prej diku, midis tyre kishte shpërthyer një grindje – fjalë pas fjale, deri sa burri i saj hodhi një fjali që s’kishte asnjë lidhje me të vërtetën, por që e mbylli menjëherë atë grindje njëherë e përgjithmonë: – Mjaft, moj kurvë! Fabiola shtrëngoi djalin fort në gjoks. Për një fragment sekonde iu kujtua nata e dytë e shkurtit, hoteli “Shliman”. Pastaj erdhi një “oh” i zgjatur, i fundmi.
Makina doli nga rruga. I vetmi që shpëtoi ishte djali katërvjeçar – muaj në spital, pastaj në Shtëpinë e Fëmijës. Larg, në Amerikë, pa ditur ende asgjë për sa kishte ndodhur, Prend Pali kishte ndjerë atë ditë sikur diçka i këputej brenda. Piu pa fund, aq sa s’e mbante mend as si arriti në shtëpi.
Vetëm fragmente të një ëndrre të keqe i kishin mbetur në kujtesë – motra e tij, duke vajtuar mbi një gur. Motra, vërtet, kishte ardhur shpesh, e lotuar, para kullës së prindërve – motër pa motër, pa vëlla gjallë a të vdekur, grua pa fëmijë me një burrë që s’kishte as vëlla, as motër, me pasuri e katandi që s’kishte kush t’i gëzonte.
Një pasdite vape, duke u kthyer për në shtëpi dhe duke vajtuar me vete për të gjithë ata që i mungonin, iu kujtua sërish ajo ditë e ftohtë dhjetori kur, mbi shtatëdhjetë centimetra borë, e patën menduar ta varrosnin të atin si të huaj, në fund të arës. Ndaloi te një krua t’i lante faqet e të pushonte pak nga lotët. Aty pa një fëmijë që mbushte një bidon me ujë. -I kujt je?
Sa vjeç je? – e pyeti, pasi u ngrit. Fëmija – vetëm gjashtë vjeç – mori monedhën që ajo ia zgjati, megjithëse fillimisht kundërshtoi, dhe i tha: Po ti, moj nanë, hajde te shtëpia jonë, pusho sa të kalojë vapa, e pastaj shko. Fjala “nanë” ia ndaloi frymën në grykë.
E puthi në të dyja faqet. – Si e ke emrin? – e pyeti djali. – Nuk ka rëndësi, – tha ajo. – Thuaj vetëm se ma fali nana te kroni. Dhe u ndanë. Eh, si nuk më fali zoti një evlat, timin! mendoi, duke vazhduar rrugën. Nuk kishte njeri të afërt të cilit t’ia besonte një fëmijë, e jeta po i afrohej kapërcyellit.
Papritur, brenda saj shpërtheu një ide, e ndjeu një gëzim të çuditshëm: Do ta gjejmë një fëmijë. Ai le të na varrosë dhe të gëzojë pasurinë tonë. Kur mbërriti në kullë, e gjeti të shoqin duke qarë, me një pamje që s’ia kishte parë kurrë. – Ç’ke, mor burrë? – Ç’mund të kem. Kulla shkret. Ti të paktën shkon te prindërit, edhe pse s’i ke më. Unë s’kam as aq.
Vëllanë ta muer bota për së gjalli. Kush do na varrosë… – Besa, shpejt do ta kemi një fëmijë, – i tha ajo. – Ti je çmendur. Ty zoti ta ka marrë mendjen. Dyzet vjet martesë e s’na fali fëmijë – e tani paskemi me pas?! – Jo për t’u lindur, mor burrë, – i tha. – Na e marrim një fëmijë që s’e ka njeri, e rrisim si tonin, do na thërrasë nanë e babë edhe pse s’do jetë prej gjakut tonë.
Plakut iu ftohën fjalët në gojë. S’u përgjigj – nxori vetëm kutinë e duhanit e dridhi një cigare në heshtje. Nuk kaloi as një muaj kur ishin që të dy te Shtëpia e Fëmijës, letra në dorë. Një kujdestare i çoi nëpër grupet e fëmijëve, derisa gruaja ndaloi para një djali pa mbushur ende pesë vjeç. I ra zemra.
Vështrimet iu takuan dhe një drithërim ia përshkoi trupin – ajo fytyrë e dukej e njohur, si të ishte gjaku i vet, i lindur nga shpirti. – Pse rri vetëm ky? – pyeti, mezi duke gjetur fjalët. – I kanë vdekur të dy prindërit në një aksident, – i tha kujdestarja. – Mbeti pa nënë e pa baba. – Ky është fëmija ynë, tash e mbrapa, – tha ajo thjesht.
Dhe pas një procedure të gjatë letrash, djali doli nga Shtëpia e Fëmijës drejt kullës ku, prej asaj dite, do të thërriste “nanë” dhe “babë” dy njerëz që nuk e dinin – ende – se sa afër i kishte nga gjaku. * * * Vitet ikën.
Djali u rrit, ata u plakën, dhe bash kur ai po mbushte pesëmbëdhjetë vjeç, Prend Pali u kthye tek kulla e vet – e vjetër tashmë, e lodhur, si t’i qe në pritje të atij vetëm. E gjeti të kyçur. Gjeti diku një levë, hyri me forcë, dhe atë natë qau vetëm, për nanën e babën që s’i gjeti më.
Të nesërmen shkoi te varrezat, ku qëndroi më shumë se dy orë, e prej andej u nis për te shtëpia e motrës, të cilën s’e kishte parë prej pesëmbëdhjetë vitesh. U përqafuan gjatë, ai, ajo dhe dhëndëri.
Ende s’kishin mbaruar as të pyeturit se si ishin varrosur prindërit, kur nëpër derë kaloi një djalosh i ri, që të nesërmen mbushte pikërisht pesëmbëdhjetë vjeç. – Ky është djali ynë, – tha e motra.
Prend Pali ngriu për një çast. – Djali juaj? – Djali i shtëpisë sonë, – tha ajo, me kujdes, sikur t’i afrohej ngadalë të vërtetës. – Mirë se erdhët, – i zgjati dorën djaloshi, i pashëm si engjëll. – Motër, – tha Prend Pali, ende i hutuar, – ty të fali zoti djalë e sot e ke pesëmbëdhjetë vjeç? – Jo, vëlla. E morëm nga Shtëpia e Fëmijës.
E kemi rritur si të ishte i yni, jemi munduar me gjithë shpirt të jetë i lumtur. Prindërit e vërtetë – nëna oficere, babai me universitet të mbaruar – i vdiqën në aksident kur ai ishte katër vjeç. Nëna quhej Fabiola. Emri i ra si gur mbi kokë, por s’pati kohë të mendonte gjatë.
Unë isha në makinë kur u përplasën, – tha djaloshi, që kishte hyrë pa e vënë re askush. – Por tani ndihem sikur i kam gjallë, se kam këta dy njerëz që i dua e më duan me gjithë shpirt. – Si e kishte emrin nëna? – pyeti Prend Pali, me zë që s’ishte më i tiji. – Fabiola, – u përgjigj djali dhe u ngrit të hyjë në dhomë. Kur u kthye, mbante në dorë një fotografi.
Gota e ujit i ra nga dora dhe u thye përdhé. Ai djalë i ngjante orës së bardhë, mitike, të fisit të tij, që nuk donte të shuhej. – Ç’pate? – iu drejtua e motra, e shqetësuar. Ai s’po e mblidhte dot veten.
E fshehu fytyrën në duar, si të zgjohej nga një ëndërr e keqe. – Motër, dua të dal, kam një shok për të parë, – mërmëriti, duke kërkuar një derë për t’u shpëtuar. – Ti sapo erdhe, e nesër kemi ditëlindjen e Fatjonit. S’ke ku shkon. – Do të rri, po tani po dal njëherë.
Në vend të derës kryesore, u drejtua nga dhoma e gjumit. – Këtej është dera, – i tregoi dhëndëri. – Dua që të vish, – i tha djaloshi. – Nesër është ditëlindja ime. Do t’u them shokëve që kam një dajë të kthyer. Prend Pali heshti. – Të puth pak faqen? – pyeti djaloshin, dhe ia futi dorën në flokë.
Kur ia vuri buzët në faqe, iu duk sikur po puthte faqen e Fabiolës. – Do të vij, – mërmëriti, dhe doli si i vdekur, hapat e vet të mos i njihte më. Në gjysmë të rrugës drejt kullës, iu kujtua sërish se të atin kishin dashur ta varrosnin në fund të arës, si të panjeri. Ai fat, tashmë, e priste atë vetë, i ngjizur diku thellë brenda: djali i tij ishte tek e motra.
Kulla dhe pasuria e vet ishin, në fund, të tijat. Të gjitha pronat i kishte hipotekuar prej kohësh në emrin e djaloshit, e letrat ia kishte dorëzuar pikërisht atë ditë kur ai mbushte pesëmbëdhjetë vjeç, pa i thënë kurrë të vërtetën – as atij, as motrës. – Mund të vish tek unë të shkollohesh, ose të shkosh kudo tjetër që të duash, – i kishte thënë atëherë, në ditëlindjen e vet. – Tani unë përgjigjem për shkollimin tënd.
Ato kishin qenë fjalët e fundit që kishte thënë, ditën kur kishte kuptuar mirë se kush ishte djaloshi para tij – ditën kur, në vend të imazhit të Fabiolës, kishte filluar të mbante brenda vetes fytyrën e të birit. Tani, hapat i binte ngadalë e rëndë nëpër atë tërmale, drejt kullës së babait dhe, njëherësh, të djalit të vet.
Gjithë jeta e tij kishte pasur veç teposhtë; kjo ngjitje e fundit i dukej më e lodhshme se çdo gjë tjetër. Sa herë merrte frymë, i dukej sikur dëgjonte dënesa që vinin nga vetë palca e tokës.
