Tolerimi i milionerëve shkelës të rregullave të sigurisë në punë

0%

Bizneset ku lëndohen apo humbin jetën punëtorët, në shumicën e rasteve, kalojnë pa u ndëshkuar në proceset gjyqësore që zhvillohen ndaj tyre. Një raport i publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) më , nxjerr në pah statistika shqetësuese për mënyrën se si përfundojnë proceset gjyqësore ndaj bizneseve ku lëndohen punëtorët.

Nga 37 rastet e monitoruara, në shumicën e tyre janë shqiptuar dënime me kusht ose gjoba. Raporti konstaton se për veprat penale për të cilat janë ngritur aktakuza, ligji parasheh dënim me burgim, megjithatë gjykatat kanë aplikuar politika të buta ndëshkimore.

Në emisionin e sotëm të KallxoPërnime u transmetua debati rreth këtij raporti nga paneli i përbërë prej gjyqtarit Burim Ademi, prokurorit Egzon Jakupaj, Jusuf Azemi – kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat dhe Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një gjetje e rëndësishme e raportit tregon se pjesa më e madhe e rasteve janë mbyllur me marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke ua pamundësuar viktimave ose familjarëve të tyre të ushtrojnë ankesë në gjykatën e shkallës së dytë.

I realizuar përmes analizës së thelluar të dosjeve gjyqësore, raporti konstaton gjithashtu se Prokuroria e Shtetit, në shumicën e rasteve, nuk ka ndjekur penalisht personat juridikë, por vetëm individët përgjegjës. Sipas të dhënave, vetëm në pesë raste prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj bizneseve, ndërsa në rastet e tjera aktakuzat janë ngritur vetëm ndaj personave fizikë.

Nga viti 2023 deri në vitin 2026, sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, në Kosovë kanë humbur jetën 46 punëtorë, ndërsa janë regjistruar mbi 1 mijë e 700 aksidente në vendin e punës.

Në hulumtimin e tij, BIRN konstaton se qindra biznese që nuk kanë respektuar rregullat e sigurisë dhe shëndetit në punë kanë shmangur përgjegjësinë penale, pasi Inspektorati i Punës nuk i ka referuar rastet e tyre në Prokurorinë e Shtetit.

Analiza juridike e BIRN-it vlerëson se, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Kosovës, një biznes që nuk instalon pajisjet e nevojshme të sigurisë dhe shëndetit në punë duhet të ndiqet penalisht.

Megjithatë, të dhënat institucionale tregojnë se këto raste, në shumicën dërrmuese, nuk janë proceduar në prokurori, por janë trajtuar vetëm si kundërvajtje administrative, duke u mbyllur me gjoba të shqiptuara nga Inspektorati i Punës. Gjyqtari Burim Ademi vlerëson se është bukur shqetësuese niveli i sanksioneve të shqiptuara ndaj rasteve të vdekjes, lëndimit të punëtorëve.

Sipas tij, Gjykata nuk mund ta refuzojë marrëveshjen për pranim fajësie dhe i lejohet t’i vlerësojë rrethanat deri te qëllimi i dënimit.

“Sepse nuk është qëllimi i dënimit vetëm sanksionimi specifik i veprimit konkret të pasojës së shkaktuar, por duhet të ketë parasysh edhe pasoja, në qoftë se mundet me u risocializu kryesi i veprës penale dhe po ashtu me pasë efekt preventiv në të ardhmen.” – ka deklaruar Ademi.

“Është bukur shqetësuese se si prokuroria, madje edhe kur dakordësohet në marrëveshje për pranimin e fajësisë, por edhe si gjykata edhe kur bën pranimin e fajësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shqyrtimet gjyqësore në seancat e shqyrtimit fillestar, shqipton dënime deri në nivelin e tillë të 8 mijë euro, 15 mijë euro – për personat juridikë – përderisa vlerat e tilla të gjobave janë deri në 100 mijë euro.” – shtoi ai.

Përveç rekomandimeve të BIRN se si të veprohet në rastet e krimeve nga siguria në punë, Ademi tha se nuk mund të bëjnë një udhëzues të veçantë për rastin e sigurisë punë, por tha se “do të vazhdojmë me mbikëqyrjen e zbatimit të udhëzuesve për të kërkuar zbatimin e plotë të udhëzuesit që është në fuqi e ku mbulohet edhe situata e rasteve të sigurisë në punë.” Në rastet e pranimit të fajësisë, Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tha se pala e dëmtuar nuk mund të ankohet deri në Gjykatën Supreme.

“Në mungesë të këtij mekanizmi për shkak të kësaj marrëveshje ne po vazhdojmë me i mbajt standardet e ulëta në raport me dënimet për personat fizikë edhe në raport me dënimet për personat juridik. Prej 37 rasteve, nëse nuk gaboj, vetëm në katër raste kemi pasur aktakuzë edhe për personin juridik.” – ka thënë Gashi.

Kur një biznes merr leje të ndërtimit, Gashi konsideron se ky biznes është përgjegjës ta siguroj të gjithë ambientin të cilin e ka si vendpunishte. “Ajo çka po dështohet këtu me u zbatuar është dhënia e përgjegjësisë në raport me lejen në ndërtim.” – shtoi ai.

Kurse, prokurori Egzon Jakupaj e mohoi se ka ndonjë statistikë që Prokuroria ka hyrë në marrëveshje për pranim të fajësisë në rastet me fatalitet. Ai vetë tha se ka pasur raste që i ka trajtuar edhe personat juridikë për vepra penale.

“Kur kemi negocim për marrëveshje për pranim të fajësisë, pa pëlqimin e palës së dëmtuar, prokurori i shtetit nuk mund të negociojë marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë.” – ka theksuar Jakupaj.

Në anën tjetër, kryesindikalisti Jusuf Azemi ka prezantuar të dhënat e tyre në Sindikatë të punëtorëve të vdekur, i cili ka disa herë që përmend se nuk janë të ngjashme me ato të Inspektoratit të Punës. Në tri vitet e fundit, Azemi thotë se janë regjistruar 83 raste të vdekjeve të punëtorëve. “Në 95% të rasteve në moment kur vdes punëtori ka përfunduar gjithçka me të.

Kemi dy tre raste kur kompania i ka ofruar [familjes] të ndjerit krejt ceremoninë e varrimit, edhe banesë i ka afruar edhe punësim, por këto janë raste shumë të rënda.” – tha Azemi. Sipas tij, në 2023 kanë qenë 25 të vdekur, prej tyre, 16 kanë punuar në ndërtimtari.

Kurse, në vitin 2024 tha se kanë qenë 12 të vdekur, ku 50% ose gjashtë raste në ndërtimtari, dhe në vitin 2025, u regjistruan 32 raste të vdekjeve, 21 raste në ndërtimtari. “Një punëtor ka qenë nën moshën 18 vjeçare një punëtor i cili ka qenë i vetmi djalë i hasretit i asaj familje ka humbur jetën pa kontratë pune dhe a e dini sa e ka dënuar Inspektorati i Punës [kompaninë]?

Dy mijë euro.” – ka treguar ai. Kreshnik Gashi vlerëson se nuk është pretendim i vogël që 39 punëtorë të tjerë të cilët nuk janë në regjistrat e shtetit kanë vdekur në aksidente në punë. Ai thotë se kjo duhet të hetohet nga të dhënat e Sindikatës. Ndërkaq, vetëm në rastet kur ka lëndim dhe vdekje në punë Inspektorati i Punës e fton Prokurorinë.

Sipas Gashit, vepra penale kryhet edhe pa pasojë, pra edhe nëse nuk është lëndimi, por ka vepër penale, personi juridik duhet të ndiqet penalisht në këto situata. “Inspektori nuk e ka obligim procedural me marrë telefonin, me thirrë prokurorin kujdestar me i tregu që është në një vend punishte ku ka gjetur shkelje serioze të cilat duhet me u ndjek.” – tregoi Gashi.

Raporti i BIRN konstaton se Prokurorisë i duhen gati 10 muaj që të hetohet një rast i sigurisë në punë, kurse gjykatës së shkallës së parë i duhen 42 muaj. Prokurori Jakupaj tha se varet nga kompleksiteti i rastit, pasi sipas tij, ka hetime që përfundojnë shpejt në rastet që ka pasoja më të lehta, e disa që marrin kohë sepse rastet janë me pasoja të rënda.

“Varet prej ekspertizave mjekoligjore të cilat shpesh herë ndodh që edhe vonohen për disa muaj të tërë deri te një mendim për natyrën e lëndimeve trupore që ka pësuar i dëmtuari. Varet sigurimi i dëshmive të dëshmitarëve të cilët kanë qenë prezent, mbrojtja e të pandurit dhe gjitha veprime të tjera hetimore të cilat duhet të merren varësisht prej rastit që ka ndodhur.” – shpjegoi Jakupaj.

Mirëpo, Jakupaj theksoi se mund të kryhet vepër penale edhe pa pësuar lëndim trupor. “Deri më tani nga ana e Inspektoratit [të Punës] nuk kemi pasur ndonjë rast që është referuar qoftë tek hetuesit apo tek ne direkt, tek prokurori i shtetit.” – përfundoi ai.

Raporti “Sfidat sistematike të trajtimit të krimeve nga siguria dhe shëndeti në punë” pati filluar në vitin 2022, ndërsa pjesa e parë e tij ishte publikuar në vitin 2023. Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU . BIRN ka publikuar disa raporte për të drejtat e punëtorëve dhe trajtimit të rasteve të tyre në vendin e punës.

Më , BIRN ka prezantuar raportin mbi gjetjet e të drejtave të punës dhe sigurisë në punë për punëtorët për vitin 2023, të titulluar “Viktimat e padrejtësisë ”. Më , BIRN publikoi raportin “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura” .

Kurse, më , u publikua raporti “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtoreve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësori” , pas një hulumtimi njëvjeçar nga BIRN dhe Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

Burimi: Kallxo