Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka njoftuar se është takuar me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në margjinat e një takimi të ministrave në Washington.
Hoxha tha se shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale dhe perspektivat e ardhshme, ndërsa tha se i përcolli qëndrimin e Shqipërisë lidhur me deklaratat për “spastrim etnik” të Kosovës të bëra nga ministrja serbe, Snezhana Paunoviq.
“Po ashtu, ritheksova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë lidhur me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë.
Nënvizova nevojën për të refuzuar pa asnjë mëdyshje retorikën që nxit tensione, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vlerave europiane”. Hoxha tha se pikërisht për këtë shërben diplomacia: “të angazhohesh në dialog të hapur, të përballesh sy më sy, të përballosh realitetin dhe t’i trajtosh dallimet me përgjegjësi”.
Për takimin me Hoxhën njoftoi edhe Gjuriq në X. Por, ai s’e përmendi që homologu i tij shqiptar e ka prekur këtë temë. “Angazhimi i vazhdueshëm në dialogun politik mbetet thelbësor për garantimin e stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit, siç e theksova gjatë bisedës sime me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në margjinat e Takimit Ministror në Uashington.
Gjithashtu, identifikuam mundësi të tjera për të avancuar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të forcuar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë”, shkroi Gjuriq.
