Komuna e Obiliqit ka njoftuar për hapjen të Tregut Mobil, një iniciativë që synon mbështetjen dhe fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave të kësaj komune.
Sipas njoftimit, hapjen e këtij tregu e ka bërë kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ndërsa projekti është realizuar me iniciativën e Udhëheqëses së Njësisë për Antidiskriminim dhe Barazi Gjinore, Ganimete Aliu, në partneritet me Shoqatën e Grave Agromedicine.
Në njoftim bëhet e ditur se Tregu Mobil është i hapur për të gjitha gratë dhe vajzat e interesuara të Komunës së Obiliqit, të cilave u ofron mundësi për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre, me qëllim të rritjes së pavarësisë ekonomike dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim.
Tregu do të organizohet çdo të premte, duke u ofruar njëkohësisht qytetarëve mundësi për të blerë produkte dhe shërbime cilësore nga prodhueset vendore. Sipas komunës, ky projekt është mbështetur nga UNMIK dhe përfaqëson një hap në drejtim të përfshirjes ekonomike dhe sociale të grave. “Kur gratë fuqizohen ekonomikisht, përfiton e gjithë shoqëria”, thuhet në njoftim.
